Kushedi sa do të jetë acaruar Beate Baumann, kur një vajzë e sëmurë me sindromën daun, ditët e fundit pyeti Angela Merkelin, përpara miliona spektatorëve, se çfarë mendonte për abortin. Prej pothuaj 30 vitesh, shefja e kabinetit është hija e kancelares, këshilltarja e saj kryesore, gruaja që ndihmon në shkrimin e fjalimeve, e vetmja që mund t’ia thotë hapur mendimin e vet, e vetmja me të cilën Merkeli festoi, në një restorant pranë Portës së Brandenburgut, një dekadë si kancelare. Baumann është e vetmja që i ka qëndruar gjithmonë pranë, dhe që në skenarin e qeverisë së ardhshme, në të cilin gjeometria e aleancave është ende e paqartë dhe të gjithë nxitojnë të vetëkandidohen për një post të lartë, është e destinuar të mbetet në vendin që ka. Edhe në katër vitet e ardhshme, Golf-i i Beate Baumann do të shihet çdo mëngjes, pak përpara orës 8.00, në hyrje të kancelerisë.

Tani që Merkel është duke u përgatitur për një mandat të katërt, është e qartë se prejardhja e saj nga një diktaturë shtypëse komuniste, maturia e saj proverbiale dhe gjenialiteti taktik makiavelian, por edhe afërsia me dy këshilltare që i dëgjon aq shumë, që janë të huaja për partinë, por që janë vetëflijuar për të, si Baumann dhe Eva Christiansen, kanë kontribuar për ta transformuar atë në personazhin që është sot. Domethënë, udhëheqësja më e pushtetshme dhe më jetëgjatë post-ideologjike, e dalë nga rënia e Murit të Berlinit. Merkel ka prishur panoramën e partive gjermane, duke zbrazur mbi të gjitha CDU-në nga identiteti i saj, dhe duke i “rrëmbyer” ide, slogane, copa elektorati edhe partive të tjera, sidomos socialdemokratëve, por edhe për të gjelbërve dhe liberalëve.
Screen-Shot-2017-09-18-at-09.32.21

Megjithatë, këto tri parti përsëri po përgatiten të zhvillojnë bisedime të ngushta me të pas 24 shtatorit. Të gjithë pajtohen kur thonë se negociatat për qeverinë e re do të zgjasin me muaj, e do të jenë më të gjatat në histori. Por më interesantja nuk është kjo. Tre partitë që kanë pësuar dëme më të mëdha nga pragmatizmi post-ideologjik i Merkelit kanë kuptuar, me sa duket, se qëndrimi në opozitë nuk do ta ndryshojë shumë rezultatin e tyre, në një skenar në të cilin kancelarja dominon e gjithëpushtetshme mbi çdo, dhe bën propozimet më të mira për modernizim në diskutimin publik.

Nëse SPD prej dymbëdhjetë vitesh nuk del dot nga gërshëra mes 20 dhe 25% të votave, përveçse për shkak të konfuzionit të ideve në të majtë që ka nisur prej fundit të Blairizmit, kjo ndodh edhe për shkak të faktit që Merkeli i përthith të gjithë instancat, pa komplekse. Liberalët, pas bashkëjetesës me të mes viteve 2009 dhe 2013, kanë precipituar nën 5 përqindëshin dhe përfunduan jashtë Bundestagut për herë të parë, që nga viti 1949. Të Gjelbërit “u vodhën” nga pak prej të gjitha partive sa u përket temave të tyre, gjatë dekadave të fundit, dhe tani vërtiten përreth 8 përqindëshit. Klimakanzlerin, si i pëlqen të quhet, ka qenë padyshim udhëheqësja e CDU më ekologjike e të gjitha kohëve.

Megjithatë forca e saj, fakti që prej shumë vitesh ia ka dalë që të “eleminojë” të gjithë kundërshtarët e brendshëm, dhe që ka konsoliduar mbshtetjen për CDU – e cila vazhdon të ruajë nivele mbështetjeje prej 38-40%, një popullaritet që asnjë parti tradicionale në Evropë nuk e ka arritur pas Krizës së Madhe – është njëkohësisht edhe limiti i Angela Merkelit.

Dhe nyjat janë të dënuara të vijnë e të mblidhen fort, pikërisht në këtë mandat të katërt. E para, në 24 shtator, për herë të parë në historinë e Gjermanisë së pasluftës, një parti e lindur më djathtas se CDU/CSU do të hyjë në Bundestag. E djathta populiste e AFD është edhe pasqyra e limiteve të zhvendosjeve të saj majtas. Në 12 vitet e fundit, qeveritë e Merkelit kanë miratuar një sërë ligjesh progresiste si dalja nga energjia bërthamore, paga minimale, dhe martesat për të gjithë. Ose kanë përmirësuar në mënyrë konstante normat për gratë, familjet, kundër përdhunimit, ose kanë rregulluar disa elemente të Agenda 2010 në drejtim progresist. Merkeli ka menaxhuar me një humanizëm ekzemplar krizën e refugjatëve të vitit 2015 dhe ka mundësuar tre herë shpëtimin e Greqisë. Zgjedhje të cilat kanë bërë që të lindë një parti, e cila ka shkuar të kërkojë të pakënaqurit nga i ashtuquajturi “socialdemokratizim” i CDU-së.
Screen-Shot-2017-09-18-at-09.31.50
Në legjislaturën e ardhshme do të jetë thelbësore që ish-e preferuara e Kohlit, “vajza” që natën kur binte Muri i Berlinit shkoi të bënte një seancë saune me një miken e saj dhe që në muajt pasardhës ishte e pavendosur, të regjistrohej në SPD apo CDU, t’u lejojë kristiandemokratëve që të dalë një trashëgimtar i saj dhe të rifitojnë një identitet të vetin. Për momentin, fizionomia e partisë përkon kaq shumë me ikonën-Merkel, saqë në disa postera elektoralë duket vetëm fytyra e saj dhe data e zgjedhjeve.

Eshtë e vërtetë që Merkeli, pikërisht për shkak të mungesës së limiteve të saj ideologjike, ka treguar se është në gjendje më shumë se të tjerët, që ta shpjerë përpara vendin. Ose të ndërrojë ide në mënyrë drastike, si në rastin e incidentit të Fukushimës, që e konvertoi, nga një mbështetëse e bindur e bërthamores, në partizanen e daljes prej atomit. Por, për ata që besojnë se pluralizmi është kripa e demokracisë, vetmia e Merkelit në majë të një panorame partitizmi në depresion dhe pa ide inovative, mbetet pak shqetësuese. Dhe mund të rezultojë fatale mbi të gjitha për CDU-në. / La Repubblica – Bota.al/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: