Nga Monika Shoshori STAFA

Të dielën e fundit kristiandemokratët e kancelares gjermane Angela Merkel, shënuan një fitore të papritur në zgjedhjet lokale që u zhvilluan në rajonin e Nordreinh Westfallen, duke vënë në pikëpyetje objektivin e socialdemokratëve të Martin Schulz për ta dëbuar gruan më të pushtetshme të botës prej zyrës ku gjendet që prej vitit 2005.

Shifrat ishin ambicioze që prej fillimit të numërimit të votave dhe u duk qartë që në krye të herës diferenca mes palëve. Ajo çfarë nuk ishte parashikuar ishte pikërisht fitorja e saj e plotë nëse do mundemi të risjellim në kujtesë të njëjtat zgjedhje pesë vite më parë, kur socialdemokratët e fituan këtë zonë me gati 5% më shumë në avantazh. Zgjedhjet e së dielës sipas ekspertëve të analizës, në rajonin me dendësi më të madhe popullsie në Gjermani, shihen gjerësisht si një tregues kyç i humorit të përgjithshëm të gjermanëve para zgjedhjeve federale që pritet të mbahen në shtator.

Pas kësaj Martin Schulz, një prej liderëve kryesorë të Europës së Bashkuar, do të ndërmerrte një detyrë jashtëzakonisht të pakëndshme mëngjesin e së hënës në Berlin: si do t’ua shpjegonte grupit të tij se përse partia që ai kryesonte kish humbur zgjedhjet mu në zemër të bastionit të saj tradicional. Përgjigjja e tij prej një gladiatori, megjithatë nuk e ndërroi humorin brenda partisë së tij. “Ndonjëherë, një boksier i mirë edhe mund të qëllohet me një grusht të fortë, – i pohoi Schulz një turme njerëzish që po qëndronin para selisë së SPD-së, – por kjo nuk do të thotë se rivali i tij do të fitojë me domosdo raundin tjetër”. Por problemi i socialdemokratëve të Schulz nuk ishte te forca e grushtit apo goditjes dhe nga erdhi ajo.

Ky ishte i treti raund zgjedhjesh mes landesh që u zhvillua në Gjermani dhe ku në secilën prej tyre SPD e Schulz rezulton e humbur. Ndaj ky nuk është një rezultat shpresëdhënës për ta për ngjarjen e madhe të zgjedhjeve federale të vjeshtës. Si dhe ndodh në çdo disfatë, humbësi prej këtej pritet t’u rikthehet edhe një herë draft-propozimeve për rajonin, elaborimit të mëtejshëm të pikave kyçe të programit të tij politik, por natyrisht edhe një detaji që shumë prej liderëve të fundit modernë të Europës e neglizhojnë, njohjen e temperamentit shpirtëror të banorëve të zonës.

Për hir të së vërtetës, kuotat e socialdemokratëve shënuan një rritje të konsiderueshme në sondazhe në muajin janar, kur u njoftua se Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Europian do të ishte kandidati i saj kryesor kundër kancelares së hekurt Angela Merkel, duke shkëndijuar papritmas idenë e një “efekti Schulz” në politikën gjermane. Por duket se kjo gjetje e re nuk arriti të sjellë entuziazëm në fushëbetejën politike të socialdemokratëve. Pas tre disfatave me radhë për të gjithë ata që i kanë ndjekur kurset politike të landeve gjermane, Angela Merkel, bija e pastorit luterian vendoset në një pozicion të favorshëm në sprintin e fushatës përfundimtare përpara zgjedhjeve federale të vjeshtës së parë. “Koha e… zgjedhjeve ndër lande ka mbaruar, – tha Merkel pasditen e së hënës në një fjalim prej selisë së CDU-së, dukshëm tepër vitale në paraqitjen e saj para opinionit publik. – Tani një fazë e re beteje ka nisur”.

Analizën e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun e Gsh.al: http://www.gsh.al/2017/05/17/angela-the-show-must-go-on/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb