NGA SENAD NIKSHIQI
SHKODËR- “Shteti shqiptar të imitojë kishën për rigjykimin e historisë”. Kështu ka deklaruar dje Arqipeshkvi i dioqezës Shkodër Pult, monsinjor Angelo Massafra, gjatë prezantimit të kalendarit të aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të lumturimit të 38 martirëve nga Vatikani.

Në konferencën për shtyp, ai tha se lumnimi i martirëve është një shenjë mirënjohjeje për ata, të cilët u dënuan dhe u torturuan padrejtësisht. Arqipeshkvi, i pyetur nëse është momenti që shteti shqiptar të dënojë krimet e komunizmit, u shpreh se mundet që të imitojë kishën katolike, e cila bëri gjyqin e gjatë në Vatikan për 38 martirët, duke lënë të nënkuptohet se duhet ndërmarrë një hap i tillë.

“Unë shpresoj që me festën e 5 nëntorit ne kemi bërë gjyqin tonë, që ka filluar në vitin 2002 dhe u mbyll në vitin 2010 në Vatikan për 38 martirët. Gjyqi është shqyrtuar shumë mirë nga Vatikani me ekspertët. Është lexuar krejt materiali prej 2.500 faqesh. Të gjithë martirët janë dënuar nga inati ndaj fesë i sistemit të atëhershëm. Nuk ka as arsye politike, as kombëtare, por vetëm fetare për dënimin e tyre. Mendoj që mund të jetë një nxitje apo një shtyrje që shteti shqiptar të imitojë atë që ka bërë kisha katolike. Lartësimi i martirëve është lartësimi i të gjithëve atyre që kanë vuajtur, të krishterë ose jo. Katolikët kishin vuajtje të mëdha, edhe pse nuk ishin një bashkësi e madhe, por janë torturuar në mënyrat më të tmerrshme nga shteti monist. Shpresoj që shteti ta imitojë kishën në këtë situatë rigjykimi të historisë”, pohoi kreu i konferencës ipeshkvnore shqiptare.

MESHA PER 38 MARTIRET
Kisha katolike ka gati edhe logon për 38 martirët në Shqipëri. Padër Gazmend Tinaj, drejtuesi i Provincës Françeskane, ka shpjeguar simbolin e kësaj logoje të dizenjuar enkas për ta. Sipas tij, rrethi është simboli i qiellit, botës shpirtërore që paraqet amshimin, ndërsa një simbolikë kanë edhe ngjyrat.

Padër Tinaj tregoi edhe për simbolikën e kryqit dhe palmës në logon për 38 martirët që përfigurojnë që në fillesat e krishtërimit martirizimin. Në të gjithë këtë gjithëpërfshirje dome-thëniesh, simbolesh të ndryshme, ndërlidhet mirë edhe jeta e secilit nga martirët. Edhe semantika e përdorimit të fjalës “lumnim” e ka shtyrë kishën që të bëjë këtë zgjedhje fonetike.

Mesha e shenjtë më 5 nëntor do të kremtohet nga Angelo Amato, kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve. Do jenë të pranishëm në kremtimin solemn kardinali i nderit, dom Ernest Troshani; kryetari i konferencës Ipeshkvnore të Italisë, kardinal Angelo Bagnasco; ipeshkvi i Këlnit, kardinali Ranier Maria Woelki; kardinali Salvadore de Giorgi dhe ipeshkvi i Napolit, kardinali Crescenzio Sepe.

Do të jenë të pranishëm në bashkëkremtim 20 ipeshkvij nga vende të ndryshme të botës si dhe rreth 300 meshtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, diaspora dhe vende të tjera të botës. Besimtarëve të shumtë që do të marrin pjesë në këtë kremtim solemn, nga Shqipëria, do u shtohen edhe besimtarët e tjerë nga Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe mbarë diaspora shqipfolëse nëpër botë.

Për të nderuar këtë kremtim janë të ftuara autoritetet më të larta shtetërore si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova. Kisha Katedrale do jetë e hapur për të gjithë; të vetmet vende që do të rezervohen do të jenë për familjarët e martirëve dhe për autoritetet e larta shtetërore.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: