TIRANE-Testimi i mjekëve dhe infermierëve në spitalet shqiptare është kthyer në një faktor humori në rrjete sociale. E para që ka zgjedhur të ironizojë plot shaka duke qeshur me të madhe në rrjetin social Facebook, është doktoreshë Anika Dokle, vajza e deputetit socialist Namik Dokle.

“Për miqtë e mi gjinekologë! Direkt nga AKP! Hajde testim hajde!!

Hahahahahahahaha…..”, shkruan ajo duke publikuar më pas dhe një prej pyetjeve që sipas saj do të jetë në testimin e mjekëve.
tezaa
Rreth testimit të mjekëve dhe mësuesve në vend ka pasur shumë kundërshtime. Pas kontestimeve të shumta nga mjekët dhe infermierët për zhvillimin e testimit kombëtar, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, zhvilluan dje një takim me shefat e shërbimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura në ambientet e Fakultetit të Infermierisë, ndërsa ka zgjatur rreth 45 minuta.

Rreth 2 javë më parë, ministri Ilir Beqaj bëri me dije se mjekët dhe infermierët e sistemit parësor dhe atij spitalor do t’i nënshtroheshin një testimi kombëtar, ndërsa qëllimi i tij ishte ‘fotografimi’ i njohurive profesionale te bluzat e bardha. Por, kjo nismë nuk u mirëprit nga këta të fundit, të cilët, që në ditët e para të lançimit të saj e kundërshtuan. Po ashtu, disa profesorë ngritën pikëpyetje për faktin se kush do të mund t’i testonte ata specialistë që ushtrojnë këtë profesion prej vitesh. Ndërkohë që, edhe Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë shprehu hapur qëndrimin ‘kundër’ zhvillimit të testit. Paralelisht mjekët dhe infermierët janë duke firmosur një peticion, i cili u drejtohet krerëve të shtetit, përfshirë dhe kryeministrin Rama, ku argumentojnë qëndrimin ‘kundër’ testimit kombëtar.

(d.b/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: