TIRANE -Administratorja e kopështit privat “Diren”, Anjeza Shabani, që u arrestua mbrëmjen e djeshme pas publikimit të videos në emisionin “Stop”, ku ajo shfaqej duke dhunuar një fëmijë, ka shpërthyer në lot në komisariatin e policisë.

Mësohet se pronarja e kopështit ka pranuar se e ka goditur 3-vjeçarin, por më pas e ka puthur dhe e ka përqafuar. Anjeza Shabani pretendon se videoja e shfaqur në televizion nuk është e plotë, pasi janë prerë momentet kur ajo e përkëdhel vogëlushin. Ajo deklaroi në polici se prindërit e 3-vjeçarit nuk e kishin informuar se fëmija ishte autik.

Denoncimi i rastit u bë nga babai i vogëlushit, i cili iu drejtua emisionit “Stop” për të investiguar dhe për të vërtetuar dyshimet që ai kishte lidhur me dhunën e ushtruar ndaj djalit të tij, dyshime të cilat kishin lindur pas shenjave të dhunës të konstatuara në trupin e vogëlushit.

“Duke marrë parasysh shumë raste dhe dhunën që ka ndodhur në Shkodër, dhunën që po ndodh me fëmijët, dhunën që po ndodh çdo ditë me fëmijët e mitur, të cilët janë të pambrojtur, unë vendosa t’i drejtohem emisionit tuaj, duke pasur besim tek ju, për dhunën që mendojmë se po i ushtrohet djalit tonë. Djali na ka ardhur me shenja në shtëpi, kemi konstatuar dhunë dhe jemi të bindur që aty ka dhunë, prandaj dhe kërkojmë edhe ndihmën tuaj. Djali është te kopshti ‘D…’ me administratore ose drejtoreshë Anjeza Shabani. Fëmija është i moshës trevjeçare, por në çastin kur ai vjen në shtëpi, gjendja e tij është shumë e rëndë, ai nuk flet, ka shumë vështirësi në të folur, por me anë të shpjegimeve verbale dhe joverbale kemi arritur të kuptojmë se aty po ndodh diçka. Ne jemi të bindur se aty ka dhunë. Unë dyshoj, por më tepër jam i bindur se djali im aty dhunohet, prandaj jam drejtuar këtu tek ju me besimin për ta faktuar këtë gjë”- u shpreh babai i vogëlushit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb