LIBRAZHD- Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, ka zhvilluar sot takimin e tij të parë në Librazhd me gra dhe vajza të këtij qytei, që ishin mbledhur në qendrën e qytetit, të transformuar nga projekti i Rilindjes Urbane.

Duke shprehur kënaqësinë dhe falenderimin për një mbëhtetje kaq të madhe, Balla tha se qytetarët e Librazhdit, por edhe të gjithë Shqipërisë sot s’kanë asjë arsye të shkojnë në protestë.

Teksa iu referua protestës së opozitës ditën e sotme në Tiranë, Balla apeloi që të mos ketë dhunë.

“Sot në Tiranë PD ka thirrur një protestë. Apeli im dhe i gjithë Librazhdit para kësaj proteste është: Protesta bëni sa të doni, por xhama mos thyeni, gurë mos hidhni, Shqipërinë mos e e prishni sepse Shqipëria boll ka vuajtur këto 25 vite. Nuk na duhen më as ’97 as ’98 sepse të parat që vuajnë më shumë nga dhuna janë nënat, janë motrat dhe ato që qajnë më shumë janë nënat e motrat.

Apeli im edhe një herë është të mos ketë dhunë, por vetëm protestë paqësore, pavarësisht se unë nuk gjej asnjë arsye për të qenë një qytetar i thjeshtë në atë protestë. Në atë protestë nuk protestohet për vende pune, në atë protestë nuk protestohet për mirëqenie, nuk protestohet për shtet, por për të kundërtat e këtyre”, tha deputeti Balla.

Më tej Balla foli për projektet e qeverisë të cilat e kanë shndërruar Librazhdin dhe të gjithë Shqipërinë. Ai tha se megjithatë shumë mbetet për t’u bërë dhe shumë do të bëhet në 4-vjeçarin e ardhshëm.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb