TIRANE- Lufta në Irak e në Siri është tragjedi pa anë e pa fund, që ka nevojë për zgjidhje urgjente në tryezën e bisedimeve, deklaroi sot Papa Françesku në takimin me anëtarët e Komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishave ortodokse lindore, në Vatikan.

Në këtë çast, në mënyrë të veçantë, pohoi Papa, ndajmë bashkë lemerinë e dhimbjen për ngjarjet, që po ndodhin në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Irak e në Siri. I kujtoj të gjithë banorët e Rajonit, duke përfshirë edhe vëllezërit e krishterë e shumë pakica të tjera, që pësojnë pasojat e një konflikti raskapitës. Së bashku me ju, lutem çdo ditë që të gjindet sa më shpejt rrugëzgjidhja në tryezën e bisedimeve, duke iu lutur Hyjit të mirë e të mëshirshëm për të gjithë ata, që po vuajnë nga kjo tragjedi e pashembullt.

Gjithë të krishterët, vijoi Papa, janë të thirrur të punojnë së bashku me mirëkuptim e besim të anasjelltë, për t’i shërbyer kauzës së paqes e të drejtësisë.
Uroj që ndërmjetësimi dhe shembulli i shumë martirëve e shenjtorëve, që dhanë dëshmi guximtare për Krishtin, në të gjitha Kishat tona, t’ju ndihmojë e t’ju japë forcë ju e bashkësive tuaja të krishtera.

Papa Françesku shprehu mirënjohjen e tij për punën e Komisionit, nisur në janar të vitit 2013. Kujtoi se në dhjetë vjetët e fundit, duke ndjekur perspektivën historike, ky komision shqyrtoi rrugët përmes të cilave Kishat shprehën bashkimin e tyre në shekujt e parë, në shërbim të kërkimit të bashkimit në ditët tona. Gjatë takimit të kësaj jave, u realizua edhe një thellim lidhur me natyrën e sakramenteve, posaçërisht atij të Pagëzimit. Papa uroi edhe që puna e kryer të sjellë fryte të begata për kërkimin e përbashkët teologjik e të ndihmojë për ta jetuar gjithnjë më thellë vëllazërimin e miqësinë tonë.
Së fundi, Françesku vlerësoi lart angazhimin frymëzues për dialogun të Patrikut të Kishës Siro-Ortodokse të Antiokisë dhe të mbarë Lindjes, Ignazio Zakka Iwas, që vdiq vitin e kaluar: “Bashkohem në lutje me ju të gjithë, me klerin e besimtarët, për këtë shërbëtor të zellshëm të Hyjit, duke kërkuar për shpirtin e tij gëzimin e amshuar”, tha Papa.

Kishat Ortodokse Lindore janë ato, të cilat i pranuan tre Koncilet ekumenike (të Nikesë, të Kostandinopojës e të Efezit). Gjithsejt janë gjashtë: Patriarkana kopto-ortodokse e Egjiptit; Patriarkana siro-ortodokse e Antiokisë dhe e mbarë Lindjes, Damasku; Kisha Apostolike Armene: Selia Etchmiadzine, Armeni – Katolikozati i Antelias, Liban; Kisha Ortodokse e Etiopisë: Kisha Ortodokse e Eritresë; Kisha Ortodokse sire e Malankar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: