NGA FATMIRA NIKOLLI*

Një strehë e re, vepër e një prej artistëve më të mirë bashkëkohorë ndërkombëtarë, Philippe Parreno, ka zënë vend në hyrje të Kryeministrisë. Kjo e fundit, monument kulture dhe pjesë e aksit monumental. Kjo ngjitje mes një monumenti e një vepre të artit bashkëkohor ka rezultuar për shumëkënd (nëse lëmë mënjanë ligjin e trashëgimisë që mbron monumentet) e pavend.

Mes atyre që argumentojnë kundër ndryshimit të imazhit të godinës është edhe Arba Baxhaku, arkitekte dhe prej kohësh edhe pjesë e Universitetit të Arkitekturës në Firence. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ajo thotë: “Nuk mendoj se do të zbulohet ndonjëherë arsyeja se përse ritmi i fasadës së ndërtesës së Kryeministrisë na duket i bukur dhe se përse hija që i zhgarravit përsipër streha e llamarinës së shtuar së fundmi e shëmton atë”. Ajo argumenton pse streha e dëmton dhe e shëmton Kryeministrinë.
(Arba Baxhaku, është fituesja e konkursit “Arkitektët e rinj për Zhvillimin Urban”, me një projekt për rindërtimin e Kishës së Shën Mërisë së Vaut të Dejës dhe Muzeut të kujtesës e traditës vendase përgjatë rrugës për në Kështjellën e Shën Markut).

-Ke fituar një çmim për arkitekturën në Shqipëri, megjithatë shprehesh e pakënaqur me strehën e re të Kryeministrisë. A mund të shpjegoni pse nuk ka vend ajo aty?
Mendoj janë dy çështje të pavarura nga njëra-tjetra. çmoj pa masë çmimin që m’u dha muaj më parë si një ndër vlerësimet më të larta që kam marrë ndonjëherë. Nga ana tjetër, të shprehësh mosbesim ndaj një ndërhyrjeje arkitektonike bën pjesë në formimin tim profesional por nuk ka asnjë lidhje me çmimin. Mësova së fundmi që streha e vendosur në hyrje të Kryeministrisë është pjesë e një cikli punimesh që po kryhen prej kohësh në brendësi të ndërtesës. Transformimi i katit të parë të ndërtesës në një hapësirë kushtuar artit e kulturës më duket një ide tërheqëse dhe me vlerë për kryeqytetin. Deduktoj që streha përfaqëson kështu hyrjen e këtyre ambienteve të reja, por fatkeqësisht ajo përputhet keq me ndërtesën ekzistuese. Aparati i ndërtesës së Kryeministrisë është i përbërë prej disa hyrjesh, streha mund të vendosej si një element i shkëputur në një prej tyre, pa qenë nevoja të cenojë monumentalitetin e fasadës.

-Shumë artistë janë shprehur se është kitsch, të tjerë kanë pasur parasysh ligjin e trashëgimisë kur kanë shprehur pakënaqësinë e tyre. Një strehë që ngjan plastike e me drita, sa i ngjet një godine të 1939-ës?
Ligjet në mbrojtje të trashëgimisë lindën për herë të parë në Europë si reagim ndaj transformimeve të mëdha që pësuan kryeqytetet europiane gjatë periudhës së industrializmit. Ne po përjetojmë në Tiranë diçka të ngjashme, një cikël të vazhdueshëm transformimesh kaotike, rrjedhojë e zhvillimit të vrullshëm ekonomik dhe krizës së rëndë të vlerave që përshkon vendin prej kohësh. Po i përjetojmë këto transformime disa shekuj më vonë sesa kryeqytetet europiane, ndërkohë që ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë dhe monumentet e kulturës, madje dhe vetë monumentet, do të thoja me bindje se i kemi marrë nga jashtë. Pra, siç ndodh rëndom në Shqipëri, po kryejmë disa veprime qoftë edhe të natyrshme në një kohë ‘jashtë kohe’. Çështja e strehës nuk është një çështje shijeje në këtë rast. Mendoj se ligjet nuk duhen shkelur; nëse ato nuk janë të përshtatshme, mbase duhen ndërruar, por jo shkelur.

Arsyeaja se përse një strehë e tillë nuk ‘ngjit’ me godinën, nuk hyn ndër arsyet shkencore. Për këtë mund të ketë shumë interpretime. Shqipëria është një vend i vogël dhe i varfër, por ka fatin e madh të laget nga ujërat e një deti që lag brigje civilizimesh të mëdha. Mesdheu mbart një ndër thesaret kulturore më me vlerë në botë; aty lind fryma e mendimit perëndimor, zënë vend shkenca, arti e arkitektura. Raportet matematikore që shfaqen në arkitekturën italiane të periudhës fashiste janë rrjedhojë e disa mijëvjeçarëve kërkime në këtë fushë. Nuk mendoj se do të zbulohet ndonjëherë arsyeja se përse ritmi i fasadës së ndërtesës së Kryeministrisë na duket i bukur dhe se përse hija që i zhgarravit përsipër streha e llamarinës së shtuar së fundmi e shëmton atë. Rilindësit italianë, kur ‘zbuluan’ ndertësat e lashtësisë e nisën të lexonin bukurinë e tyre për ta rishkruar atë, i vunë një emër arsyes së mistershme, e quajtën atë proporcion. Ata thoshin se barbarët, duke mos njohur proporcionin, e kishin të pamundur të vlerësonin bukurinë e lashtësisë, ata flisnin një gjuhë tjetër. Mbase për këtë arsye nuk u erdhi aq keq kur shkatërruan Romën.

-Ju jeni në Firence. Nëse atje ka ndërhyrje në godina monument, deri në ç’masë bëhen dhe si?
Shembulli i Firences është shembulli më i skajshëm që mund të merret për këtë çështje. Firence është një qytet ku përulësia ndaj trashëgimisë së shkuar ka ndalur pothuajse çdo ndërhyrje të re në qytet. Unë nuk jam dakort me këtë qëndrim konservator. Çdo brez duhet të lërë gjurmët e tij në arkitekturë, sado naive të jenë ato. Brezat që nuk ndërtojnë, dënohen në harresë.
-A ka lidhje kjo strehë me ndonjë rrymë a stil të arkitekturës bashkëkohore?
Po t’i vëmë një emër bashkëkohor dhe europian, nuk do të mund të justifikojmë asgjë. Disa prej vendeve ku ndërtohen ndërtesa shumë bashkëkohore e të arrira teknologjikisht janë vendet arabe për shembull, vende në të cilat njerëzit gëzojnë fare pak liri. Ndërtimet e kushtueshme e që shkaktojnë habi nuk janë tregues të mirëfilltë të zhvillimit kulturor të një vendi.

-Ndërhyrja është bërë me miratimin e Ministrisë së Kulturës me arsyetimin se nuk futet organikisht në godinë, edhe pse në fakt punimet aty patën nisur para se të jepej miratimi. Si një arkitekte që punon në Universitetin e Firences, çfarë do të këshillonit për raste të ngjashme?
Ndërhyrja mund edhe të mos futet organikisht në godinë, por futet ‘organikisht në bulevard’, një aks monumental ‘jetik’ për pasurinë kulturore të vendit. Gjithsesi, unë gjykoj se cenimi i proporcioneve të fasadës së Kryeministrisë është një dëm i krahasueshëm me shkatërrimin e saj.

Në raste të ngjashme unë do të këshilloja një bashkëveprim më dialogues mes organeve përgjegjëse. Monumentet e kulturës nuk janë ‘pronë’ e qeverisë, por e kombit. Jo më kot ato quhen pasuri kombëtare. Gjithsekush në këtë rast ka të drejtën e plotë të shprehë pakënaqësi, përderisa flitet për një cenim të pasurisë së gjithkujt.

Them së fundi se do të jetë koha, si gjithmonë, ajo që do të dëshmojë vlerën e vërtetë të kësaj vepre. E shoh me kthjelltësi teksa i thyhen poçat e llambës, ndryshket, shtrembërohet, i bien fletët e llamarinës, fillojnë i lirohen vidat. Mund edhe të jetë një vepër arti, por kam bindjen se i ka rënë për pjesë të jetë një vepër arti e pafat. U vendos t’i bëjë hije fisnikërisë së ndërtesës së Kryeministrisë, e kjo ‘zonjë e fisme’ nuk do ta ketë të vështirë ta mposhtë me kohën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: