Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Arben Ristani “tkurr” shifrat e Berishës dhe Bashës: Ja sa protestues ishin në shesh

protesta65454

TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, e cilëson brenda pritshmërive protestën e organizuar nga opozita ditën e sotme në Tiranë. Në emisionin “Kjo javë” i gazetares Nisida Tufa në “News 24″, deputeti Ristani komenton edhe numrin e qytetarëve që iu bashkuan protestës. Ndryshe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryetari Sali Berisha që folën për rreth 600 mijë protestues në shesh, Ristani flet për shifra më të ulëta.

A i firmoset ju njoftimet për protestën e PD ashtu si në 18 shkurt?
Ajo që ju quani firmosje janë njoftimet që PD-ja, kur bën organizime të tilla, iu drejton organeve të drejtësisë ashtu siç e parashikon ligji. Në përgjithësi ato firmosen nga Sektori i Organizmit. Këtë rast në fakt nuk e kam firmosur unë, por kjo nuk ka rëndësi.

A ishte pjesëmarrja në protestë në prishtmëritë tuaja?
Ishte e pritshme. Ndoshta diçka më shumë se pritshmëritë. Gjërat janë subjektive, por ajo që është reale është ajo që shqiptarët kanë ndjekur përmes ekranit. Si strukturë e PD unë kam patur të konfirmuar 70 mijë vetë të strukturës, pasi nuk matim dot numrin e qytetarëve që vijnë jashtë strukturës. Mund të ishin rreth 200 mijë vetë. Në këtë tubim kemi qenë edhe më të organizuar se mitingu i kaluar.

Nuk di nëse keni lexuar postimin e deputetes Bregu, që lakon boshllëqet në Bulevard…
Nuk e di, nuk e kam lexuar. Të konfirmuar nga organizatoret si pjesë e strukturës ishin 70 mijë vetë.

Sa i takon organizimit, pamë disa persona të panjohur por jo mesazhe nga ata. Pse kjo zgjedhje?
Nuk është se janë njerëz që përgatiten, zgjidhen në mënyrë përfaqësuese një e re, një e vjetër, për të dhënë mesazhe të ndryshme. Mesazhi ishte mesazhi i protestës, i halleve, dhe secili prej tyre jep mesazhe ashtu siç e ndjen secili. Çështja është që mitingu ka pasur këto mesazhe të rëndësishme, atë që zoti Basha e konsideroi një referendum. Është një popull i tërë që kërkon dhe mbështet opozitën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zoti Basha kërkoi dhe tha që ky është një miting i dytë, dhe hera e tretë është përfundimtare.

Sa i takon krizës politike, duke qenë se jeni ish-kryetar i KQZ. Si i komentoni ju, a janë shkelur afatet ligjore për dorëzimin e listave të kandidatëve?
kjo është një gjë e interpretueshme. Po t’i referohesh ligjit, thuhet se nuk duhet të paraqiten më vonë se 50 ditë nga dita e zgjedhjeve. Pra do të thotë se dita e zgjedhjeve nuk përfshihet. Listat u dorëzuan duke hyrë në pragun 49 e ca orë, jo 50 ditë të plota. Ky është termi ligjor, kështu e kanë vendosur. Ky është ligji, nuk duhej që listat të paraqiteshin duke thyer afatin ligjor. Në këtë moment janë në shkelje të ligjit dhe ato janë të papranueshme.

Në kushtet e zgjidhjes së krizës a shërben kjo?
kjo i shërben dhe krizës që është krijuar. Është i mirëpritur dhe vendimi i Kolegjit Zgjedhor që duhet të konstatojë këtë shkelje. Vendosja e ligjit është e mirëpritur

Çfarë prisni ju nga Kolegji Zgjedhor?
vendosjen e drejtësisë. Për mua nëse bëjnë një gjë tjetër, do besoja se janë në presionin e pushtetit. Është e qartë dhe s’kanë se ku lëvizin.

Dje u diskutua se mund të hiqej çadra, çfarë ishte ai moment?
Taktikat e luftës opozitare, nëpërmjet të cilave është dhe çadra, simbol i luftës, janë në diskutim që të ndjekim këtë rrugë apo një tjetër. Por nuk kemi pasur asnjë vendimmarrje që të mbyllim çadrën. Ajo do të vazhdojë. Ka qenë në diskutim forca dhe mënyra se si mund të jetë më mirë. Çadra është kthyer në simbol të protestës, vullnetit. Vërtetë ka qenë simbol i sakrificës. Unë besoj se çadra do vazhdojë dhe nga ana tjetër do besoj tek një zgjidhje e shpejtë.

Këtë zgjidhje të shpejtë ju e shihni me mbërritjen e zyrtarit amerikan?
Kam një skepticizëm se kjo nuk ka të bëjë me ndërkombëtarët, por me Ramën. Është ai që ka pjellë krizën, që ka kriminalizuar vendin, që e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbinë e Evropës, është ai që shpërdoron paranë publike, që vjedh qytetarët çdo ditë. Duke qenë se është ai përgjegjësi i gjithë kësaj krize në këto 4 vite, jam skeptik se ai mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Ngelet presioni nga opozita nga populli, e shoqëruar kjo me ndonjë presion nga partnerët ndërkombëtarë.

Kemi parë përpjekje të shumta të dështuara gjatë negociatave të ndërkombëtarëve. Do t’i thonte jo PD ndonjë propozomi të ndërkombëtarëve?
Ne do të hyjmë në zgjedhje, por jo në votime. Nuk është lojë fjalësh. Shqiptarët në diktaturë kanë bërë zgjedhje në thonjëza, sepse nuk zgjidhnin, thjesht votonin. Dhe ne nuk mund të lejojmë që votimet pa zgjedhje, të na shiten si zgjedhje të lira. PD është e përgatitur të përballet në një betejë elektorale dhe ta fitojë atë. Po në momentin kur ato do garantohen se do je të lira.

A është PD e gatshme të rishohë paketën McAllister?
Ne kemi bërë të qartë se kemi dy shtylla kryesore: qeveria teknike pa Ramën kryeministër, dhe së dyti votimi dhe numërimi elektronik. Në negociatat që janë zhvilluar Basha ka lëshuar, duke kërkuar që të zbatohet të paktën njëra nga shtyllat në mënyrë të plotë, dhe tjetra të zbatohet pjesërisht. Oferta është shumë e ndershme dhe e sinqertë. Paketa McAllister realizonte një pjesë të gjësë, por nuk realizonte të plotë as qeverinë teknike pa Ramën, dhe as numërimin dhe votimin elektronik. Për një “McAllister plus” mund të diskutojmë. Rama përveçse është një shkaktar i krizës, është edhe një mashtrues ordiner. Nga paketa McAllister filloi të bënte numra, jo zv.ministra. E bënte si pazari i Roskovecit, të jap një rosë, me jep një bibë. I ka të gjitha mashtrimet me radhë, siç bëri edhe mashtrimin me 300 mijë vendet e punës.

A do e mbështetni ju Bashën, për të vijuar në krye të PD?
Basha për mua është në rrugën e mbarë. Po konfirmohet çdo ditë jo vetëm si lider i PD por edhe i opozitarizmit në Shqipëri. Këto janë shtyllat në fakt të politikanëve. Duhet të besojnë tek kauza e tyre, dhe lideri i tyre. Nëse mungon një nga këto elementë nuk jemi në pozitat e politikanit të suksesshëm, unë e vlerësoj shumë si lider të OPD dhe për mua është i preferuar.

(el.sp/ed.me/BalkanWeb)


Komente ( 16 )

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.