Si pjesë e programit të këtij viti, gjatë edicionit të 16-të të Dokufest u parashikua dhe bashkëpunimi me Muzeun Kombëtar të Fotografisë në Shkodër. Projekti “Marubi x DokuPhoto” synon të sjellë në ambientet e qytetit dinastitë e familjeve më të rëndësishme shqiptare dhe jo vetëm.

Arkiva e fotografive të Marubit kap dhe dokumenton ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë (1856-1959) dhe përfshin fotografi magjepsëse të ngjarjeve të ndryshme publike, ritualeve shoqërore, kryengritjeve në malësi që mbulojnë pikëpamje historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike. Një përzgjedhje e fotografive të kuruara nga koleksioni i gjerë i muzeut prej 500.000 negativë, që përfaqëson tre breza fotografësh, u paraqiten përmes aktiviteteve të ndryshme përgjatë festivalit.

Ndër to, përmendim një punëtori të street art e cila riaktivizoi arkivin e fotografive në rrugët e Prizrenit, duke i dhënë jetë qytetit. Të udhëhequr nga artisti Ergin Zaloshnja, pjesëmarrësit ri-adaptuan imazhet e arkivës në muret e Prizrenit në ditën e dytë të punëtorisë, përmes metodës sticker art, duke krijuar një ekspozitë të hapur si një dhuratë për qytetin. Nëse keni dëshirë të dilni për një shëtitje të shkurtër, mund të keni mundësi t’i shijoni këto foto në gjithë bukurinë e tyre.

E veçantë ishte dhe biseda me drejtorin e muzeut, Luçjan Bedenin, i cili prezantoi projektet më të reja të një “muzeu që ndryshon një qytet”, si vazhdimësi e misionit të Marubëve. Kjo u arrit dhe përmes programeve të ndryshme të cilët nga njëra anë sjellin më afër historinë e të parës studio fotografie shqiptare, e nga ana tjetër kërkojnë të sensibilizojnë më të rinjtë, ata që fotografinë e shohin si një instrument komunikimi të përditshëm, ndaj rëndësisë së ruajtjes së vlerave të kësaj trashëgimie dhe tejçimin e tyre në brezat e ardhshëm.

Aktivitetet nuk mbarojnë me kaq. Në ditët në vijim, është planifikuar një punëtori e dytë ku pjesëmarrësit e rinj do mund të mësojnë rreth koleksionit të muzeut përmes eksplorimit të temave të dy ekspozitave të fundit të tij: ‘Manipulim’ dhe ‘ Rroftë!’. Udhëhequr nga artistja Blerta Hocia, ata do të përdorin detaje, do të zmadhojnë imazhet dhe do të bëjnë kolazhe për të shprehur vizionin e tyre në një fanzinë.

Kurorëzimi i bashkëpunimit të DokuFest dhe Marubi do të jetë ekspozita video-mapping e koleksionit të muzeut, që do të kthejë sipërfaqen e një ndërtese qendrore të Prizrenit në një ekspozitë dinamike të fotografisë./Indeksonline/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: