TIRANE– Arkivat dhe puna arkivore në trevat e shqiptarëve në shek. XX – XXI do të jenë në vëmendje të konferencës ndërkombëtare të arkivistikës, organizuar me bashkëpunimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (Shqipëri) dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave (Kosovë). Në ftesën për pjesëmarrje, për takimin e datës 12 maj 2017 në Tiranë bëhem me dije se gjuhët e konferencës do të jenë: shqip dhe anglisht.

Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë bashkë arkivistët e Shqipërisë dhe të Kosovës, arkivistët shqiptarë të viseve jashtë Shqipërisë, por që veprojnë ndër shqiptarë, nga Maqedonia dhe Mali i Zi, si dhe të tjerë arkivistë që punojnë apo studiojnë në fushë të arkivistikës. Temat që propozohen për diskutim lidhen specifikisht me arkivistikën, por edhe me historinë e arkivave apo institucioneve arkivore në zonat shqipfolëse.

Veç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, ftesa për pjesëmarrje u drejtohet të gjithë profileve të tjerë të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë me ruajtjen e kujtesës kolektive: arkivistëve të arkivave në zë dhe figurë, arkivistëve të arkivave të gjendjeve civile (Ministria e Rendit), arkivistëve të institucioneve muzeale apo arsimore (Muzeu Historik Kombëtar, Biblioteka Kombëtare, Galeria Kombëtare e Arteve, Akademia e Shkencave, Universiteti i Arteve, Qendra e Studimeve Albanologjike etj.).

TEMAT E PROPOZUARA
Mes temave që propozohen janë si vijon: Gjendja e arkivave dhe puna arkivore në Shqipëri/Kosovë/Maqedoni/ Mal të Zi nga fillimi i shek. XX deri në fund të LIIB; Arkivat dhe puna arkivore në Shqipëri gjatë regjimit totalitar, 1944-1992; Arkivat dhe puna arkivore në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë; Trajtimi i arkivave të regjimit komunist në periudhën demokratike; Planet dhe synimet e Autoritetit të Trajtimit të Dokumenteve të ish-Sigurimit, vlerësime dhe perspektiva. Njëherësh, sillen në vëmendje edhe tema si arkiva në tranzicion: 1) kalimi i pasurisë arkivore nga regjimi totalitar në shoqërinë demokratike; 2) metodologjia arkivore dhe normat tekniko-shkencore të punës arkivore nga regjimit totalitar, në shoqërinë demokratike.

E drejta e informimit dhe shërbimit arkivor si avokat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, arkivat dhe shërbimi arkivor në distance- vlerësime të së shkuarës dhe së tashmes, perspektiva për të ardhmen; numerizimi i arkivave, gjendja e arkivave të numerizuara dhe perspektiva për të ardhmen janë sërish tema të mundshme, sikundër edhe arkivat e dokumenteve në figurë dhe zë gjatë periudhës së regjimit totalitar (Shqipëri komuniste dhe ish-Jugosllavi).

Pritet të diskutohet edhe ruajtja, evidentimi dhe shërbimi i arkivave të institucioneve muzeore apo arsimore (muzeve, galerive, universiteteve), ruajtja dhe evidentimi i dokumenteve si hapa të nevojshëm në funksion të shërbimit dhe përmbushjes së detyrave ligjore të arkivave, sugjerimet e ICA dhe implementimi i RiC në punën arkivore, në Shqipëri dhe Kosovë. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ftojnë gjithë të interesuarit të dërgojnë abstraktet e artikujve të propozuar deri më dt. 10 mars 2017, ora 19:00.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb