Rusia ka filluar “lojërat e luftës” më të mëdha në vitet e fundit, në tokë, ajër dhe det, në kufi me vendet më të vogla dhe më të dobëta të NATO-s. Jo më pak se 12,000 trupa, 70 avionë luftarakë, 250 tanke dhe 10 anije luftarake janë planifikuar zyrtarisht për të bërë simulime lufte nga 14 shtatori në 20 shtator në Bjellorusi dhe Rusi, si dhe në detet Balltik dhe Barents.

Sytërvitja e koduar me emrin “Zapad 2017”, një përpjekje e përbashkët midis ushtarëve rusë dhe bjellorusë, përfshin disa prej armatimeve më të fundit ruse. Por loja e luftës bie po aq në sy, edhe për armët që mungojnë.

Megjithë një rigjallërim nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin, forcat e armatosura të Moskës ende nuk mund të dërgojnë avionë luftarakë “stealth”, apo modelet e fundit të tankeve. Dhe aeroplanmbajtësja e vetme e Rusisë, “Admirali Kuznetsov”, është gjithashtu e padisponueshme për stërvitje.

Mungesat në pajisje ndihmojnë për të shpjeguar pse Jussi Niinistö, ministri i mbrojtjes i Finlandës, e përshkroi “Zapad 2017” si një ushtrim propagandistik. “Vendet perëndimore e kanë ngrënë plotësisht karremin,” tha Niinistö, “Ata i kanë fryrë ushtrimet aq shumë”.

Zapad 2017 është edicioni i fundit i një stërvitjeje të gjatë ushtarake, e projektuar për të “stërvitur trupat për luftime në zona të izoluara, kundër veprimeve të formacioneve të armatosura të paligjshme”, sipas ministrisë së mbrojtjes së Bjellorusisë. Putin ka planifikuar ta ndjekë personalisht stërvitjen në tokën ruse.

“Ushtrimi është thjesht mbrojtës dhe nuk vë në shënjestër ndonjë vend apo grup shtetesh”, deklaroi ministria ruse e mbrojtjes.

Por këto garanci bënë shumë pak për të qetësuar NATO-n dhe shtetet neutrale pranë zonës ku kryhet stërvitja. “Mendoj se është e qartë që po bëhemi dëshmitarë të një tjetër demonstrimi rus, të fuqisë dhe aftësive”, tha ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Ursula von der Leyen.

/Bota.al.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: