TIRANE- Policia e Shtetit ka pranuar sot vërtetësinë e dokumenteve të publikuara dje për operacionin e koduar “Viluni” ku një prej kokave të trafikut të drogës u fsheh në makinën e deputetit Mark Frroku. Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit konsideron se janë dokumentacione sekrete ato që janë nxjerrë në media në lidhje me operacionin “Laguna e Vilunit”. Sipas policisë, duke dekonspiruar efektivët që kanë vepruar në këtë operacion, si dhe detaje të procedimit, rrezikohet jeta e punonjësve dhe vihet në rrezik hetimi.Në këtë mënyrë policia pranon origjinalitetin e dokumenteve të cilat u publikuan një ditë më parë, ku thuhej se trafikanti Bardhok Pllanaj ishte fshehur në automjetin e deputetit Frroku dhe policia nuk ka mundur ta ndalojë. Më tej Policia e Shtetit deklaron se vendimet gjatë operacionit “Laguna e Vilunit”, janë marrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke implikuar në këtë mënyrë edhe organin e akuzës.

“Jemi të shqetësuar në lidhje me dokumentacionin sekret që është nxjerrë në media, duke dekonspiruar punonjësit e policisë që kanë vepruar në këtë operacion, si dhe detaje të procedimit, gjë që rrezikon jetën e këtyre punonjesve dhe mbarëvajtjen e hetimit. Për këtë Policia e Shtetit do të iniciojë ndjekje penale.Për sa i përkët insinuatave me natyrë politike, për veprimet operacionale policore, Policia e Shtetit sqaron se vendimet gjatë çdo faze të operacionit “Laguna e Vilunit, jane marrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me të cilën ka ndjekur këtë prej më shumë se një viti procedimin penal për veprimtarinë e këtij grupi kriminal”, thuhet në deklaratën e policisë.

Një dokument i Policisë së Shtetit i siguruar nga ABC News, tregon se një person i shpallur në kërkim, i dyshuar si koka e trafikut të drogës gjatë operacionit “Laguna e Vilunit”, i ka shpëtuar arrestimit mesnatën e datës 1 dhe 2 tetor 2014 duke u fshehur në makinën e deputetit Mark Frroku. Bëhet fjalë për Bardhok Pllanaj, i cili rezulton në kërkim prej policisë shqiptare. Dokumenti ngre hije dyshimi mbi pastërtinë e veprimeve të policisë dhe prokurorisë.

DEKLARATA E PLOTË E POLICISË
Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se operacioni “Laguna e Vilunit”, i cili është realizuar në datat 30.09.2014 deri më 02.10.2014, ne lidhje me procedimin penal nr.245, viti 2013, është një nga operacionet e suksesshme, i organizuar dhe realizuar nga Policia e Shtetit ne bashkëpunim me Prokurorine e Krimeve të Rënda dhe policitë e vendeve fqinje, Italinë dhe Malin e Zi, në luftën kunder grupeve kriminale në fushën trafikun të lëndëve narkotike.

Në kuadër të këtij operacioni policor, është bërë i mundur sekuestrimi i një sasie lëndë narkotike rreth 804 likogramë e dyshuar si Mariuanë.

Gjithashtu, nga veprimet proceduriale dhe hetimore te kryera ne vazhdimesi si dhe ne kushtet e flagrances te kryerjes se kesaj vepre penale në bazë të provave te arsyeshme ne lidhje me autoresine e kesaj vepre penale është bërë i mundur identifikimi gjetja, kapja dhe arrestimi ne flagrance I 7 personave, antare te grupit te organizuar kriminal si autoreve te mundshem të kësaj vepre penale;

Ne cilësine e provës materiale janë sekuestruar:
* Sasia prej 804 kg lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sattiva.

* 370 fisheke model 56.

* Shuma prej 12 mije euro, 14 mije e peseqind leke.

* 3 automjete te modeleve te ndryshme, nje furgon mallrash.

* 16 telefona celulare

Nga ana jonë vazhdon puna në lidhje me identifikimin, gjetjen dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Jemi të shqetesuar në lidhje me dokumentacionin sekret që është nxjerrë në media, duke dekonspiruar punonjesit e policisë që kanë vepruar në këtë operacion, si dhe detaje tëprocedimit, gjë që rrezikon jetën e këtyre punonjesve dhe mbarevajtjen e hetimit.

Për këtë Policia e Shtetit do të iniciojë ndjekje penale.

Për sa i përkët insinuatave me natyrë politike, për veprimet operacionale policore, Policia e Shtetit sqaron se vendimet gjatë çdo faze të operacionit Laguna e Vilunit, jane marrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me të cilën ka ndjekur këtë prej më shumë se një viti procedimin penal për veprimtarinë e këtij grupi kriminal.

Gjithashtu, policia e shtetit garanton qytetarët se është e vendosur në zbatimin e ligjit njëlloj për çdo shtetas.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: