TIRANE- Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli sulmoi ashpër dje, Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për firmën e hedhur prej tij në kërkesën drejtuar Parlamentit për të arrestuar dy deputetët, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Në një status të postuar në faqen e saj në “Facebook”, ajo shkruan se kërkesë më të turpshme nuk mund të bënte Prokuroria.

“Përpjekja për të na e shitur për dekriminalizim akuzën e Prokurorisë për ‘kallëzim të rremë’ ndaj dy deputetëve të mazhorancës është jo vetëm fyese, por dhe e rrezikshme. Kërkesë më të turpshme nuk mund të bënte Prokuroria! Dy deputetët e kallëzuar dhe 17 shokët e tyre duhet të lënë mandatin e deputetit dhe të hetohen, jo për dëshmi të rreme, por për rekordet e tyre kriminale. Akuza qesharake e bazuar në thëniet e Bamit, nuk është forca e shtetit, por dobësia e tij. Moshetimi i Ilir Metës për bisedën dhe akuzën e bërë ndaj opozitës në zyrën e tij me një të afërm të një deputeti, është vetëm nënshtrimi i Akuzës së shtetit ndaj qeverisë! Por arsyeja substanciale se pse shteti është katandisur këtu, është Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata i futën në Parlament këta ‘trimat’, për pushtet.

Ironia e trishtë është se, pas vendimit te Parlamentit për t’i hapur rrugën procedimit, bazuar në dëshmitë e Durim Bamit për këta dy deputetë apo heqja e mandatit për 4 deputetët, këta dy udhëheqësit dhe shokët e tyre, do përpiqen t’ua shesin shqiptarëve si dekriminalizim të atdheut, si forcën e shtetit ligjor dhe të demokracisë së konsoliduar! E gjitha mban një erë shumë të keqe”, – shkruan deputetja e PD në “Facebook”. Topalli ka qenë e vetmja deputete demokrate që nuk votoi pro emërimit të Adriatik Llallës në postin e kryeprokurorit në 7 dhjetor 2012.

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: