TIRANË- Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka folur për arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi pas arrestimit të tij mbi bazën e një urdhër-arresti serb të vitit 2004. Bushati tha në një intervistë për “Panoramën” se deklaratat e presidentit serb Nikolic dhe kryeministrit Vucic dëshmojnë se ata jetojnë në të kaluarën e errët.

Bushati shprehet se ky ndalim ka prekur palcën e shtetit të Kosovës dhe minon dialogun e saj me Serbinë.

Ai i është përgjigjur edhe akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha në lidhje me këtë çështje.

“Sa më shumë kalon koha po kristalizohet pikëpamja se Serbia është i llastuari i perëndimit e që në të njëjtën kohë flirton me lindjen. Që procesin e dialogut me Kosovën po e koncepton si një mundësi për t’u “rikthyer” në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit më të ri të Europës”, deklaron Bushati.

Në zbatim të një urdhër-arresti të Serbisë, drejtësia franceze ndaloi dhe la në burg kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn. Cili është qëllimi i Serbisë përmes këtij urdhër-arresti kur dimë se Haradinaj ka marrë pafajësinë nga Gjykata e Hagës?
Ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës është i padrejtë dhe i dënueshëm. Akuzat ndaj Ramushit e kanë zanafillën në 2004, kur asokohe kryeministri la detyrën për të shkuar në Hagë, për t’u ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare. Dy dhomat e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë e çliruan nga çdo akuzë. Këto janë fakte të njohura botërisht. Për rrjedhojë lëshimi i fletë-arresteve nga Serbia dhe keqpërdorimi i Interpolit dhe shpërfillja e vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare është një veprim i qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën, të denigrojë imazhin e një personaliteti dhe përmes tij të njollosë luftën çlirimtare të Kosovës.

Si i komentoni kritikat e kryetarit të opozitës Basha në lidhje me qëndrimin e kryeministrit Rama për çështjen Haradinaj?

Ndjeva keqardhje për partinë në emër të së cilës flet Basha. Nuk ishte as në nivelin e Berishës, i cili nuk ja lejoi vetes ta konsideronte çështjen Haradinaj si një çështje prej së cilës mund të nxirren përfitime politike.

Si i gjykoni deklaratat e kryeministrit serb Vuçiç dhe të presidentit Nikoliç për ndalimin e Haradinajt?

Deklaratat e tyre dëshmojnë se jetojnë në të kaluarën e errët, duke bërë pjesë për fat të keq tek ata politikanë që ende mendojnë se mund të nxirret kapital politik me Kosovën. Përdorimi i “viktimologjisë”, si metodë politike, kombinuar me “teatralitetin” dhe “agresivitetin”, mund të prodhojë efekte befasuese në planin afatshkurtër, por është tërësisht kundërproduktive në planin afatgjatë.

A pritet që arrestimi i Haradinajt të ketë impakt në dialogun Kosovë-Serbi?

Unë nuk mund të them se cilat do të jenë vendimet e Kosovës. Dialogu është një proces të cilin Shqipëria e ka mbështetur që në krye të herës. Duke besuar se është në të mirë të Kosovës dhe si pjesë e angazhimeve të saj me miqtë e partnerët, me Bashkimin Europian. Ky proces nuk bëhet për të kënaqur Serbinë, por për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy fqinjëve.

Pas gjashtë vite dialog, mendoj se ka ardhur koha për një “rivlerësim të angazhimeve”. BE-ja duhet të jetë së pari e zëshme dhe e angazhuar për të parandaluar qëndrime dhe veprime që minojnë procesin e normalizimit. Duhet po ashtu të jetë më e angazhuar jo vetëm në arritjen e marrëveshjeve, por edhe për të siguruar zbatimin e tyre. Në të kundërt, marrëveshjet do të kthehen në letra pa vlerë. Vini re paqartësinë që ekziston mbi murin që u ngrit në Mitrovicë. Një proces që u nxit e ndërmjetësua nga BE si proces për ndërtimin e urave po rrezikon të kthehet në ndërtim muresh. Siç ndodh në të tilla raste, një mur që kërkon veç pak ditë për t’u ngritur, kërkon vite për t’u kthyer në urë përmes bisedimesh e ndërmjetësimesh diplomatike.

Sa më shumë kalon koha po kristalizohet pikëpamja se Serbia është i llastuari i perëndimit e që në të njëjtën kohë flirton me lindjen. Që procesin e dialogut me Kosovën po e koncepton si një mundësi për t’u “rikthyer” në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit më të ri të Europës.

Dialogu me Kosovën i ka hapur Serbisë dyert e BE-së edhe pse Serbia vazhdon të refuzojë kokëfortësisht të bashkohet me qëndrimet e BE-së në politikën e përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Kontrasti nuk mund të jetë më i madh kur Kosovës i kërkohen gjykata speciale, i refuzohet lëvizja e lirë me kritere sui generis, i sugjerohen modele strukturash e rregullimesh të cilat, duke qenë të patestuara dhe duke pasur parasysh implikimin agresiv, të vazhdueshëm e të toleruar të Serbisë nga ana e BE-së, mund të rezultojnë të padobishme për funksionimin e saj në të ardhmen.

Rasti Haradinaj ka prekur palcën e Kosovës. Ndaj, nuk do të çuditesha që kjo ngjarje të ndikonte edhe në ecurinë e procesit të bisedimeve. Kush mund të mendojë se mund të shkohet në Bruksel për të rënë dakord për çështje shpesh herë delikate, kur ndërmerren veprime të tilla qëllimshëm destabilizuese? Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë kërkon mendjemprehtësi, durim dhe vullnet të vazhduar. Normalizimi nuk do të ndodhë duke krijuar pengesa apo duke ngritur mure aty ku duhen forcuar urat e kontaktet.

Ky qëndrim i Serbisë zyrtare duket sikur vërteton deklaratat e politikanëve kosovarë që çështjet mes Kosovës e Serbisë nuk zgjidhen nga takimet e kryeministrit Rama me kryeministrin Vuçiç.

Jean Jaures, udhëheqësi socialist i fillim shekullit XX sugjeronte të dallojmë distancën mes “ideales” dhe “reales”. Ne nuk jemi angazhuar për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë sepse ajo ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës, edhe pse ne besojmë se procesi i dialogut do të duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin mes tyre dhe në njohjen e ndërsjellë.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, varet nga ecuria e normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe nga zbatimi i angazhimeve të ndërmarra nga kjo e fundit në këtë proces. Në mbështetje të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të vijojmë të kërkojmë nga Serbia që të respektojë marrëveshjet e arritura, të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe të inkurajojë komunitetin serb në Kosovë që të marrë pjesë në institucionet legjitime të saj.

Nuk besoj se i ka shpëtuar ndokujt fakti që kryeministri Rama ka thënë për Kosovën në Beograd pikërisht ato që ka thënë në Tiranë, në Bruksel, në Berlin apo në Washington. Natyrisht që frytet e kësaj qasje angazhuese duan kohë të materializohen. Ndonëse kam dëgjuar e lexuar me vëmendje çdo kritikë në këtë drejtim, asnjë prej kritikëve nuk ka paraqitur deri tani një platformë alternative për të përforcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të promovuar rrugëtimin europian të Ballkanit Perëndimor.

Unifikimi i partive shqiptare në Maqedoni në një platformë të vetme. Çfarë roli luajti diplomacia e Tiranës për gjetjen e këtij kompromisi dhe mendoni se do të ketë një tjetër qëndrim të partive shqiptare që do të marrin pjesë në qeverisje?

Partitë parlamentare shqiptare kanë përgjegjësinë e madhe, por edhe shansin që t’i japin Maqedonisë një shumicë të qëndrueshme dhe të ndikojnë që vendi të dalë nga kriza, të rifutet në rrugën e reformave e procesit të integrimit euro-atlantik. Me votën e tyre, zgjedhësit u kanë kërkuar aktorëve politike, të të dy komponentëve shtetformues të Maqedonisë, një kontratë të re për vendin.

Pikërisht këtë u kemi thënë aktorëve politikë shqiptarë: të tregohen në lartësinë e momentit, të marrin përgjegjësitë që u takojnë, të respektojnë kërkesat e elektoratit të tyre, të ngrihen mbi dasitë ideologjike dhe të bashkohen përmes një programi që shkon në të mirë të zgjedhësve të tyre dhe Maqedonisë.

Në këtë kontekst, ne mbështesim marrëveshjen e partive parlamentare shqiptare, e cila përbën një platformë të qartë e koherente në respekt të frymës se barazisë në Maqedoni. Ne mbështesim gjithashtu krijimin e Tryezës Ndërpartiake si një mekanizëm koordinimi e harmonizimin të aksionit politik dhe për komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm.

Platforma thekson frymën e Marrëveshjes të Ohrit, një gur themeltar për stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë, dhe nevojën e masave për të avancuar drejt forcimit të Maqedonisë europiane, demokratike dhe shumëetnike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: