Ish–drejtori i Antidrogës së Fierit Dritan Zagani, i cili tashmë ndodhet në një vend të BE-së, ka reaguar pas lajmit të arrestimit të Moisi Habilajt, i cili dyshohet se është kreu i një bande shqiptare të trafikut të drogës në Itali.

Përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, Zagani thotë se pas këtij lajmi, po pret deklaratën e policisë për këtë operacion. Ai ironizon se po vonohet deklarata, teksa nuk ngurron të bëjë akuza.

“Pres me akth te madh deklaraten per kete operacionin e perbashket ku çunat arrestuan ne bashkepunim me italianet kete kushon e ish shefit…!
P.s…sa po e vonojn sot deklaraten, po me bejn merak….!”, shkruan Zagani.

Fotoja e Moisi Habilajt, u publikua nga mediat italiane si një nga të 11 pjestarët e bandës të arrestuar në Katania, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar droge dhe armësh.

Sipas mediave italiane, vitet e fundit banda kishte transportuar nga Shqipëria në Itali rreth 3.5 ton marijuanë, e cila në disa raste është sekuestruar gjatë dërgesave.

Teksa publikon një foto të Moisi Habilajt, po në rrjetin social “Facebook”, Zagani shkruan:

“A do fillojn çunat nje hetim per sekuestrimin e pasurise se kusheririt….?????
Po Saja dhe shefi do ta mbeshtesin aksionin per sekuestrimin e aseteve te krimit….????”.
moisi habilaj

Zagani është një emër i njohur për përplasjet e tij me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ai është ish-oficeri i policisë shqiptare që denoncoi aferat e përfshirjes të trafikantëve të drogës me shefat e lartë të politikës. Zagani ka denoncuar kolegët që sipas tij e shisnin te trafikantët e drogës, si dhe ka folur për lidhjen e kushërinjve të ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, me trafikun e drogës duke përdorur makinën e tij. Zagani ka ndjekur veprimtarinë kriminale në zonën ku ushtronte detyrën, duke rrezikuar edhe jetën. Ai ka thënë se në këtë veprimtari të krimit të organizuar dhe mafies është e përfshirë edhe politika.

Si pasojë e përmasave që mori kjo ngjarje, Dritan Zagani u largua drejt Zvicrës, ku edhe ka marrë azilin politik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb