KOSOVË- Policia e Kosovës ka arrestuar ish-kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe deputetin Glauk Konjufca por më pas ky i fundit është lënë i lirë. Ishte vetë Lëvizja Vetëvendosje që njoftoi ndalimin e tyre  në magjistralen Ferizaj – Prishtinë. Sipas VV Policia ka ndaluar deputetët Albin Kurti dhe Glauk Konjufca së bashku me dy aktivistë të tjerë të Lëvizjes që ishin duke u kthyer nga aktivitetet që kishin në Shkup.

“Në shpërputhje të plotë me ligjin, pa asnjë dokument apo urdhërarrest, Policia po do që t’i arrestojë ata. Rreth 10 policë po i mbajnë të ndalur deputetët dhe dy aktivistët duke tentuar disaherë që t’i arrestojnë ata”, thuhet në njoftimin për media të këtij subjekti politik.

“Pozita ka vendosur që përmes dhunës policore ndaj deputetëve, ta mbrojë “Zajednicën”. Këto veprime të papranueshme do ta tensionojnë situatën, dhe përgjegjësinë për këtë e mbanë pushteti. Shteti policor dhe masat e dhunshme janë të patolerueshme dhe do të shpiejnë në krizë edhe më të madhe në vend”, përfundon ky njoftim.

Arrestimi i Kurtit 2

Protestuesit i vënë flakën dy veturave të Prokurorisë
Protestuesit, sipas Kallxo.com, i kanë vënë flakën dy veturave të Prokurorisë së Shtetit të parkuara para ndërtesës së Prokurorisë.

Deputeti i LDK-së e cilëson gabim arrestimin e Kurtit
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, e ka cilësuar gabim arrestimin e Albin Kurtit.

Gashi ka shkruar në facebook se “arrestimi i deputetit të Vetëvendosjes pa vendim gjykate është gabim amatoresk”. “Dikush po e luan lojën e dreqit”, ka shtuar ai.

Limaj: Isë e Hashim lirojeni Albinin, ndaleni dhunën
Ka reaguar në facebook edhe deputeti dhe kryetari i NISMA’s, Fatmir Limaj.Edhe Limaj ka bërë thirrje që të lirohet Albin Kurti. Ky është postimi i Limajt në Facebook:

Isë e Hashim, lirone urgjent Albinin dhe mos e keqperdorni në këtë formë policinë, ose përndryshe arrestone gjithë opozitën e zërin opozitar në Kosovë. Ju jeni përgjegjësit kryesor për gjendjen në të cilën e keni sjell vendin.Ndaleni më këtë dhunë policore dhe presionin mediatik e psikologjik që po ju bëni qytetarëve të vendit.

Aktivistët e VV-së qëllojnë me gur stacionin e Policisë

Menjëherë pas arrestimit të deputetit Albin Kurti, aktivistë të Vetëvendosjes kanë dalë para stacionit policor dhe kanë hedhur gurë në drejtim të tij duke thyer disa xhama. Rruga është bllokuar për qarkullim, ndërsa dyshohet se ka policë të lënduar. Njësia Speciale ka marrë kontrollin tek dera e Stacionit të Policisë ku edhe janë mbledhur aktivistë e politikanë.

Me gaz lotsjellës Policia e Kosovës po tenton të shpërndajë turmën e aktivistëve që janë mbledhur para Stacionit Policor Qendra. Mësohet se nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi është lënduar.

Ata kanë filluar të mobilizohen pas thirrjes në Facebook, ku thuhej:

Policia ka arrestuar Albin Kurtin. Tani po e dërgojnë tek stacioni qendra në Prishtinë (ish 92-shi, rruga “Luan Haradinaj”). Ftojmë të gjithë aktivistët, mbështetësit dhe qytetarët që të grumbullohemi para stacionit të Policisë.

Shteti policor nuk mund të kalojë. Reagimi qytetar është i pashmangshëm!

aktiviste VV

Policia konfirmon ndalimin e Kurtit, për intervistim
Policia e Kosovës ka konfirmuar ndalimin e ish-liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilin e ka shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

“Po, mund të konfirmojmë se sot në orët e mbrëmjes, në hyrje të Prishtinës, në bazë të urdhëresës së dhënë nga prokurori kompetent, njësitet relevante policore kanë ndaluar Kurtin dhe e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent”, ishte përgjigja e Zyrës për Informim të PK-së për koha.net.

Konjufca: Ky është më shumë një rrëmbim se sa një arrestim

Deputeti i VV, Glauk Konjufca, i cili ishte me Albin Kurtin në momentin kur Policia e Kosovës i ka ndalur dhe e ka arrestuar Kurtin, tha para gazetarëve se Policia nuk ka prezantuar asnjë fletë-arrest.

“Vetëm e kanë lidhur Albinin. Ky akt më shumë është rrëmbim se arrestim. Dhe po, kjo mund të ketë lidhje me veprimet tona në Kuvend”, ka thënë Konjufca.

AAK kërkon lirimin e menjëhershëm të Albin Kurtit
“Ndalimi dhe rrëmbimi, pothuajse si nëpër filma i Albin Kurtit, deputet dhe përfaqësues i Opozitës, është mesazh i tmerrshëm për demokracinë në vend”, thuhet në një reagim të AAK-së

“Situata, edhe ashtu e rëndë politike, nuk qetësohet duke paraburgosur përfaqësues politikë opozitarë dhe kjo ndodhë vetëm në sistemet totalitare, në çfarë po rrëshqet edhe qeveria e Isa Mustafës.

AAK, kërkon lirimin e menjëhershëm të Albin Kurtit dhe kërkon që të nxirren para drejtësisë urdhërdhënësit e këtij arrestimi spektakular.

Po ashtu i bëjmë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Mustafa, që të heqë dorë nga përdorimi i policisë për agjenda ditore partiake, të reflektojë dhe të mos bëjë gabime që mund ta cojnë vendin në trazira të dhunshme.

Ai duhet të reflektojë dhe t’i korrigjojë gabimet e veta e jo të provojë spektakle të shtetit policor.
Albin Kurti është deputet i zgjedhur dhe ai duhet ta zhvillojë i lirë aktivitetin e tij politik”, thuhet në reagim.

NISMA: Pushteti me mjete policore po i godet kundërshtarët e marrëveshjeve me Serbinë
Nisma për Kosovën ka reaguar në lidhje me arrestimin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, nga Policia e Kosovës.

Sipas kësaj partie, “arrestimi i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga policia e Kosovës, dëshmon edhe njëherë se qeverisja aktuale është e gatshme të shkelë mbi çdo gjë vetëm që të ruaj pushtetin e saj dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë”.

“Përderisa në njërën anë në raport me Serbinë është e gatshme të sillet deri në përulje dhe të pranoj marrëveshje të cilat e sjellin Kosovën në një pozicion pothuajse kolonial në raport me Serbinë, në anën tjetër me mjete policore godet kundërshtarët e këtyre marrëveshjeve”, thuhet në këtë reagim.

“Koalicioni qeverisës bën mirë të shikoj edhe njëherë Historinë e Kosovës dhe do ta sheh se sa më shumë forcë policore kanë përdorur regjimet në këtë vend aq më shumë e kanë rritur gatishmërinë e popullit për rezistencë”.

“Prandaj hiqni dorë nga rruga e demonstrimit të forcës. Sot, se nesër mund të bëhet vonë”, thuhet në fund të këtij reagimi të Nismës.

(d.d/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb