FRANCE- Një çift shqiptar janë arrestuar në Nicë, pasi dyshohet se kanë lidhje me sulmin gjatë Festës së Bastijes, ku mbetën të vrarë 84 persona, dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Çift shqiptar dyshohet t’i ketë siguruar armën Mohamed Lahouaiej Bouhlel, personit që shtypi me kamion dhe shtiu në drejtim të policisë në Nice.

Sipas “The Telegraph”, i cili i referohet rrjetit francez medial, BMF TV, thuhet se “një çift shqiptar, i dyshuar se i ka siguruar Bouhlelit një pistoletë automatike 7.65mm me të cilën ai shtiu në drejtim të policisë para se ata ta qëllonin për vdekje, janë në mesin e gjashtë personave që ende janë nën arrest”.

Ky televizion ka raportuar gjithashtu se gruaja e Bouhlelit, e cila gjithashtu u mor në pyetje, është liruar tashmë.

Sipas mediave ndërkombëtare, arrestimet e orëve të fundit e çojnë në gjashtë numrin e atyre që janë vënë prapa hekurave si të dyshuar në lidhje me sulmin vdekjeprurës që tronditi botën.

Disa ditë më parë, gjatë Festës së Bastijes, i riu tunizian Mohamed Lahouaiej­ Bouhlel, e drejtoi kamionin e tij mbi turmën e njerëzve duke i shtypur ata.

Shoferi u qëllua për vdekje nga policia, ndërsa pak më vonë i ashtuquajturi Shteti Islamik mori përsipër sulmin.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: