TIRANE- Një ditë pas publikimit të dy videove nga ‘News24’ të grabitësit të karburanteve në kryeqytet, ky i fundit ka rënë në pranga. Sipas të dhënave paraprake, mësohet se forcat e komisariatit nr.2 kanë arritur të identifikojnë se pas këtyre vjedhjeve në seri fshihet 21-vjeçari Geraldo Guci, punonjës i Gardës së Republikës, i cili u arrestua në banesën e tij në Tiranë. Sipas burimeve policore, dyshohet se gjatë muajit shtator i riu ka kryer dhe disa grabitje të tjera në Fushë-Krujë. Burime zyrtare bëjnë me dije për ‘BalkanWeb’ se Guci kishte vetëm 6 muaj që kishte nisur punë në Gardë dhe ishte një periudhë prove. Të njëjtat burime theksojnë se Guci nuk kishte armë jashtë shërbimit, pasi procedura e provës nuk e përcaktonte që ai ta mbante atë pas mbaronte shërbimin. Pohohet se 21-vjeçari ishte i përgatitur mirë fizikisht, ndërsa ka qenë në një periudhë 6 mujore prove.

GARDA: GERALDI ISHTE PUNONJES NE PROVE, NUK KISHTE ARME SHERBIMI
Garda e Republikës ka pranuar që Geraldo Guci ishte punonjës i saj pasi policia zbuloi që ai ishte grabitisi i pikave te karburanteve në kryeqytet. “Në njoftimin për mediat, Garda tha se Geraldo Guci ishte punonjës në provë tek godina e Parlamentit dhe se nuk i ishte dhënë ende arma e shërbimit.

Punonjës i saj, 21-­vjeç, u arrestua pasi u arrit të provohej se ishte autori i disa vjedhjeve në disa pika karburantesh, ndërsa mësohet se ai është shkarkuar nga detyra.

NJOFTIMI I POLICISE
Më 18.10.2016, Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr 2, bënë të mundur finalizimin e operacionit “Grabitësi”, ku u bë i mundur ndalimi i shtetasit:

– Geraldo Guci, 21 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës i Gardës së Republikës.

Shtetasi i lartëpërmendur, pasi lente mjetin e tij në një distancë të konsiderueshme dhe kontrollonte me kujdes territorin, bënte goditjet në karburant. Shumën monetare të marrë në karburante dhe armën e zjarrit sëbashku me veshjen, i vendoste në brendësi të sediljes së mjetit të tij tip “Mercedes Benz”, për tju shmangur pikave të kontrollit.

Ky shtetas rezulton të jetë autorë i dyshuar i disa vjedhjeve me armë, të disa karburanteve në Tiranë dhe konkretisht:

1. Më datë 16.10.2016, në rrugën “Isuf Elezi”, Selitë është vjedhur nëpërmjet kërrcënimit të armës, një karburant, ku janë marrë 8.000 lekë dhe një aparat telefonik “iPhone”

2. Më datë 12.10.2016, në rrugën “Isuf Elezi”, Selitë është vjedhur nëpërmjet kërrcënimit të armës, një karburant, ku janë marrë 15.000 lekë

3. Më datë 09.10.2016, në rrugën “Teodor Keko”, është vjedhur nëpërmjet kërrcënimit të armës, një karburant, ku janë marrë 20.000 lekë.

4. Më datë 03.09.2016, në rrugën “Muslym Shyri”, është vjedhur nëpërmjet kërrcënimit të armës, një karburant, ku janë marrë 40.000 lekë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1. Një aparat telefonik i tipit “iPhone 6”, i vjedhur më datë 16.10.2016, shtetasit H. S.
2. Një automjet i tipit “Mercedes Benz”, TR8483P, në pronësi të shtetasit Geraldo Guci, ku në brendësi të saj u gjendën:
– Tre gëzhoja pistolete model 54.
– Dy fishekë automatiku model 56.
Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale të “Vjedhja me armë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga Nenet 140 dhee 278/2 të Kodit Penal.

SKEMA E GRABITJEVE
Prej rreth 2 muajsh 21-vjeçari, i armatosur dhe i maskuar ishte kthyer në makthin e pikave të karburantit. I veshur me bluzë sportive me 3 ngjyra, me kapuç në kokë, shall në fytyrë e armë në dorë, në të dyja rastet grabitësi qetësisht kërkonte paratë e xhiros ditore dhe pasi i merrte largohej gjithashtu qetësisht. ‘News 24’ siguroi dje 2 video të shkëputura nga kamerat e sigurisë në 2 pika karburanti në Tiranë, të cilat ranë pre e grabitjeve.

Në ditët e para të muajit tetor grabitësi kërcënoi me armë dhe mori xhiron ditore të një karburanti në qendër të Tiranës shumë pak metra larg Drejtorisë së Policisë në rrugën “Myslym Shyri”.
Pak ditë më vonë në datën 9 tetor i njëjti person me të njejtën veshje grabiti një pikë karburanti “Kastrati” në Unazë të re, ku pasi ka kërcënuar me armë dhe ka goditur me grushte punonjësin e karburantit ka marrë prej aty 200 mijë lekë. Ngjarja ka ndodhur në një moment kur në biznes kishte vetëm 1 punonjës dhe në zonë kishte shumë pak kalimtarë pasi luhej ndeshja e futbollit Shqipëri-Spanjë.
Burime nga policia thonë se pre e të njëjtit grabitës ka rënë 2 herë në datat 12 dhe 16 tetor edhe një pikë karburanti “Gulf” në zonën e Selitës. Duke parë videon e ngjarjes të shkëputura nga kamerat e sigurisë grabitësi misterioz përdorte të njëjtën skemë, kërcënonte më armë, dhunonte punonjësin dhe merrte xhiron ditore dhe largohej me vrap në këmbë. Sipas burimeve policore, dyshohet se gjatë muajit shtator i njëjti person ka kryer dhe disa grabitje të tjera në Fushë-Krujë. Target i tij ishin karburantet me një punëtor. Grabitjet kryheshin në mbrëmje rreth orës 23.00.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb