KAVAJE- Arrestohet kryetari i Bashkisë së Kavajës i dyshuar për konsumimin e veprës penale “Fallsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të “Dekriminalizimit”. Arrestimi i tij është kryer sot nga policia e Kavajës me urdhër të Prokurorisë dhe pas vendimit të gjykatës që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të.

Pas ndalimit, Elvis Rroshi është dërguar në Tiranë, ku ka mbërritur në drejtorinë e Policisë së Tiranës, në orën 20:15.

Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore, rezulton se i dyshuari nuk ka paraqitur në formularin “Për Dekriminalizimin” të dhëna penale dhe personale, të cilat janë të detyrueshme për t’u shënuar. Sipas akuzës, kryebashkiaku Rroshi në formularin e vetëdeklarimit të dekriminalizimit nuk ka shënuar në 4 raste dënimet në Itali.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimin kryesisht, në bazë të informacionit të përcjellë nga ana e Sektorit për Verifikimin e Integritetit të Personave në Funksione Publike në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo strukturë kërkoi fillimisht verifikimin paraprak të formularit të subjektit Elvis Rroshi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më pas, ky Sektor vijoi verifikimin sipas përcaktimeve të ligjit nr. 138/2015 2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në bazë të të dhënave të përftuara nga ky verifikim i thelluara, Sektori përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme përcolli informacionin në Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi procedimin penal.

Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.

Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zvicerian respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit.

Gjithashtu subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.

Ndërkohë, nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës.

Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Elvis Rroshi, me funksion Kryetar i Bashkisë Kavajë, i dyshuar për veprën penale të “Fallsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.

Vetë Rroshi dha dorëheqjen pak kohë më parë, kur zbuloi se ai ishte denuar në moshën 16-vjeçare në Itali për përdhunim në grup, ndërsa një gjë të tillë nuk e kishte deklaruar në formualarin e vetëdeklarimit. Por pak ditë pas dorëheqjes Rroshi shkoi në Itali nga ku tha se kishte siguruar dy dëshmi të pastra penaliteti.

AVOKATI I RROSHIT: VEPRIMI I PROKURORISË, I NXITUAR. GJYKATA TË JETË MË E FTOHTË NË VENDIMIN E SAJ
Avokati i kryebashkiakut, Elvis Rroshi, Thedhori Sollaku e ka cilësuar të nxituar veprimin e prokurorisë, arrestimin e klientit të tij. Ai thekoi se gjykata duhet të jetë më e ftohtë në vendimin e saj. “Gjykata të jetë më e ftohtë në vendimin e saj. Veprimi i prokurorisë, i nxituar”, tha Sollaku.

NJOFTIMI I POLICISË SË KAVAJËS:
Nga ana e specialistëve të Komisariatit të Policisë Kavajë, u zbatua urdhri i Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Shkallës së Parë Tiranë, datë më 13.06.2016 e cila ka vendosur masën e sigurisë personale “Arrest me burg” për shtetasin, Elvis Rroshi, 41 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga Neni 190/1 i Kodit Penal.

REAGON RROSHI: DO FITOJ BETEJEN NDAJ SULMIT ORDINER, BERISHA S’KA PËR TA MARRË KURRË KAVAJËN
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryebashkiakut Elvis Rroshi në lidhje me arrestimin e tij. Ai theksoi se do të provojë më çdo kusht dhe mirëpret ballafaqimin me drejtësinë e Sali Berishës, për të provuar më pas pafajësinë e tij. Me anë të një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’, Rroshi theksoi se ky ishte një sulm ordiner ndaj tij dhe se avokatët e tij italianë ishin shokuar nga akuzat. Sipas Rroshit, Berisha nuk mund ta marrë kurrë Kavajën, edhe sikur ai të futet shtatë pashë nën dhe.

“E mirepres ballafaqimin me drejtesine e Sali Berishes dhe do te provoj gjithe pafajesine time per kete poshtersi. Kam angazhuar avokate te njohur italiane qe jane skandalizuar me gjithe kete sulm ordineresh ndaj meje. Ata me kane siguruar se kjo eshte dicka e pabesueshme dhe betejen sado e gjate te jete do ta fitojme. Prokuroria nuk ka provuar asgje pervec atyre qe kam deklaruar vete. Me akuzojne per debime ku jam debuar si mijera emigrante te tjere ne tufe po ku nuk kam bere asnje gjyq dhe s’kam marre asnje denim. Le te me akuzojne per cfare te duan tjeter. Ky arrestim eshte kriminal sepse nuk mund te arrestosh njeriun per deklarim te rreme pa e provuar qe ka qene i tille. S’ka problem une jam mesuar me padrejtesira dhe kam lindur per t’i mbijetuar cdo padrejtesie. E sigurte eshte qe Kavajen Sali Berisha nuk ka per ta marre me edhe sikur shtate pashe nen dhe te me fusin mashat e tij. Ketu do jemi!”, citohet në mesazhin e Rroshit.

ÇFARË DEKLAROI RROSHI NË FORMULARIN E DEKRIMINALIZIMIT
Ja formulari i vetëdeklarimit që e çoi kryebashkiakun e Kavajës. Elvis Rroshi në burg. Në këtë formular ai ka deklaruar emrin që ka përdorur më parë, Ervin, ndryshuar me vendim të Këshillit Bashkiak Kavajë në vitin 2002. Ai gjithashtu ka deklaruar se ka qenë i dënuar me gjobë për krim dhe kundravajtje penale, i ndaluar nga policia në vitin 2013 për goditje për shkak të detyrës dhe në hetim gjithashtu.

elvis-roshi3

elvis-roshi2

elvis-roshi1
(ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: