DURRËS- Policia e Durrësit ka vënë në pranga pronarin e disko “Kolombos” në Durrës, 46-vjeccarin Pëllumb Tuda, me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe plagosjes me dashje të një prej punonjësve të tij. Mësohet se vajza me iniciale M.P., është paraqitur në policinë e Durrësit pasditen e djeshme me hematoma në sy, duke denoncuar punëdhënësin e saj, se në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar ta shfrytëzonte për prostitutë me klientë të lokalit.

Burimet policore bënë me dije se vajza e cila ishte punësuar si banakiere, dje është rrahur në mënyrë brutale nga 46-vjecari, i cili i kish kërkuar më parë të prostituonte. “Kur nuk pranova i thashë që nuk jam prostitutë, por banakiere dhe nuk pranoj ta bëj këtë punë, më rrahu me çfarë kishte në dorë. Merrni masa sepse nuk më lë të qetë. Më thotë do të të vras nëse nuk i bindesh urdhrave të mia. Unë kam frikë prej tij”, ka denoncuar vajza në polici. Vajza në gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike është dërguar në spitalin rajonal të Durrësit, ku ka qëndruar deri ditën e sotme, ndërsa me arrestimin e 46-vjeçarit vajza është dërguar në një qendër rehabilitimi në Tiranë.

Pëllumb Tuda, është person i skeduar nga policia për disa ngjarje gjatë viteve të fundit. I arrestuar disa herë për plagosje me armë, Tuda ka ditur ti shpëtojë drejtësisë.

(m.k/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: