ATHINE­-Një shtetas shqiptar i cili akuzohet si vrasës serial është arrestuar nga policia greke. Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se në pranga ka rënë shqiptari Edmond Papajani, 31­vjeç.

Mësohet se Papajani, grabiste sende me vlerë nga banesat dhe më pas vriste edhe pronarët e tyre në shtetin fqinj.

Papajani, i njohur dhe me emrin Vangjel, akuzohet për të paktën tre vrasje. Të një 70­vjeçareje greke në Kiparisia në 10 maj të vitit 2011, për vrasjen e një 78­vjeçari në një fshat të Tripolit në 4 shtator të vitit 2011 dhe vrasjen e piktores 59­vjeçare, Katerina Zazani në 18 tetor 2014 në Nakso.

Sakaq, mbi të rëndojnë edhe akuzat e dhjetra grabitjeve ne Libanates, Fthiotidha dhe Axaia që prej vitit 2008.
Sipas mediave greke, vrasësi serial ka vepruar në zonat ku ai ishte i punësuar si punëtor ndërtimi. Ndërsa sistematikisht mësohet se 31­vjeçari prezantohej me emra të ndryshëm.

Pasi i zgjidhte viktimat, të cilët zakonisht ishin pleqtë e vetmuar, ai vinte në zbatim planin e grabitjes e më pas edhe ekzekutimit të pronarëve. Viktima e fundit e shqiptarit serial killer ishte artistja 59­vjeçare Katerina Zazani, të cilin ai e vrau në shtëpinë e saj në ishullin Naxos.

Në kohën e vrasjes, raportojnë mediat greke, shqiptari kishte qenë i punësuar në shtëpinë e viktimës. Pas vrasjes së saj, ai u konsiderua menjëherë si i dyshuari kryesor nga autoritetet greke.

Largimi i tij nga ishulli, tërhoqi edhe më shumë vëmendje për të. Shenjat e gishtave dhe materiali i tij gjenetik i zbuluar në vendin e krimit, çoi në lidhjen e tij me të dy rastet e mëparshme dhe një urdhër arresti u lëshua kundër tij.

Por 31­vjeçari i shpëtoi arrestimit dhe u kthye në vendin e tij. Kthimi i tij në Patras në Greqinë jugore, pas një periudhe të shkurtër mungese ishte e mjaftueshme për policine greke ta gjente dhe ta vinte në pranga.
Pas arrestimit, 31­vjeçari vrasës serial pranoi fajin për dy vrasjet e mëparshme te kryera në Peloponez.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb