Nga Valentina DUKA
Pasi lexova me kujdes pro gramin e kabinetit të ri qeveritar, vërej me keqardhje të thellë se ky dokument nuk është gjë tjetër veçse një fletëpalosje propagandistike e mbushur me premtime të përgjithshme dhe që nuk jep asnjë garanci reale e konkrete, nuk krijon kurrfarë besimi për kapërcimin e gjendjes së rëndë ekonomiko-sociale që është krijuar në Shqipërinë e katër viteve të shkuara të qeverisjes së kryeministrit Rama. Në programin e servirur nga qeveria nuk duket asnjë reflektim serioz dhe bindës në lidhje me ndryshimin e gjendjes dëshpëruese në lëmin e arsimit dhe të kërkimit shkencor.

Edhe pse janë rreshtuar deklarime joshëse dhe të bujshme për një sistem arsimor efiçent, për shkollim cilësor dhe të barabartë për të gjithë, për rritje të buxhetit për arsimin dhe kërkimin shkencor, në asnjë nga fushat prioritare të paraqitura në program, nuk gjen të paktën, në një rast të vetëm, një shumë financiare konkrete që mendohet të shpenzohet nga qeveria për të mbështetur një objektiv të caktuar.

Si mund të jetë e besueshme lista e premtimeve qeveritare për përmirësim të standardeve të arsimit shqiptar kur nuk garanton financiarisht një gjë të tillë? Madje për habinë tonë, në program nuk është përmendur fare se sa për qind do të jetë pjesa e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto që do të ndahet këtë katërvjeçar si buxhet për financimin e arsimit dhe kërkimit shkencor.

Të gjithë e dimë se arsimi shqiptar ballafaqohet sot me probleme të mprehta e serioze, një pjesë e mirë e të cilave janë krijuar e rënduar katër vitet e shkuara falë paaftësisë e diletantizmit në administrimin e këtij sektori jetik për vendin. Ligji i arsimit të lartë i miratuar në vitin 2015, ndryshe nga ç’u propagandua nga qeveria e kaluar, jo vetëm që nuk ka treguar shenja të një rregullimi ligjor të shëndoshë, të qëndrueshëm e bashkëkohor të veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë publik e jopublik, por në të kundërt, ka prodhuar anomali e pengesa serioze në funksionimin e këtyre institucioneve, sidomos në universitetet publike, ku vihen re qartësisht përplasje e kontradikta midis poleve të ndryshme të drejtimit të krijuara sipas ligjit të lartpërmendur.

Si për ironi të fatit, afro dy vjet pas miratimit të ligjit në fjalë, ne ende nuk kemi të plotë paketën e akteve nënligjore që të sigurojnë zbatimin e plotë dhe efektiv të ligjit, duke krijuar kështu një gjendje pezull krejt të papërshtatshme për një zhvillim normal të arsimit të lartë në Shqipëri.

Në programin qeverisës për katër vitet e ardhshme janë vendosur formulime të përgjithshme për arsim cilësor dhe të orientuar nga tregu i punës, për përmbylljen e gjithë kuadrit institucional e rregullator, për institucionalizimin e Anketës Kombëtare Studentore si instrument për vlerësimin e universiteteve, por asgjëkundi nuk flitet për investime që duhet të bëjë qeveria për ndërtimin e kampuseve të Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera publike siç i ka gjithë bota, për ndërtimin edhe në Shqipëri të bibliotekave universitare moderne ku studentë e pedagogë njësoj si kolegët e tyre të huaj, të gjejnë mjediset e duhura për studim.

Si është e mundur që qeveria e re të mos ketë asnjë angazhim programor në lidhje me përmirësimin e kushteve të studentëve, të krijimit të mjediseve të posaçme për sport dhe argëtim, për rritjen e bursave studentore etj. Po ashtu asgjë nuk thuhet ç’do të bëhet për përmirësimin e statusit të personelit akademik të universiteteve, për rritjen e pagave të paktën në nivelet që sot e kanë kolegët e Kosovës! Sot lipset të kishim reflektime më të qarta e më konkrete në program edhe për kërkimin shkencor në Shqipëri.

Qeverisja e deritanishme e z. Rama ka një dështim spektakolar në fushën e reformimit të institucioneve kërkimore në Shqipëri. Të gjithë jemi dëshmitarë për gjendjen e amullt dhe pa asnjë perspektivë reformimi në të cilën u lanë Qendra e Studimeve Albanologjike (sot: Akademia e Studimeve Albanologjike) dhe Akademia e Shkencave. A ka vallë qeveria e re një strategji të qartë për reformimin dhe fuqizimin e këtyre qendrave kërkimore në përputhje me standardet bashkëkohore dhe me interesat tona kombëtare?

A mund të thuhet se qeveria e re ka vlerësimin e duhur dhe vetëdijen e nevojshme për një albanologji shqiptare të konsoliduar, për një rol qendror të Tiranës në kërkimet shkencore të fushave të albanologjisë, kur në programin e saj nuk thuhet asnjë fjalë për këto çështje? Unë jam dakord që të fuqizohet më tej roli i universiteteve tona si pole të kërkimit shkencor, të shtohen financimet për projektet kërkimore universitare, sepse kjo do të thotë që universiteti ynë të ketë profilin e tij të vërtetë si institucion i tillë.

Por në kushtet tona, ne na duhet të ruajmë, të forcojmë e të modernizojmë institutet dhe qendrat e specializuara të albanologjisë, të shkencave që lidhen me identitetin tonë kombëtar, t’i kemi ato institucione model, me infrastrukturë moderne e mundë- si të gjera kërkimi.

Së fundi, duke iu referuar fjalimit të Kryeministrit Rama, në të cilin më shumë vend zunë historia dhe figura e Skënderbeut sesa vetë shpjegimi i programit të qeverisë, do t’i sugjeroja zotit Rama që të mos e keqpërdorë për qëllime politike e propagandistike emrin e heroit, sepse ky i fundit, i bezdisur, mund të ngrihej nga varri dhe ta qortonte me fjalët: “Nuk është nevoja të më përmendni vend e pa vend! Për mua mjafton që ju të punoni për Shqipërinë ashtu sikundër unë luftova për lirinë e saj”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: