SHKUP– Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike Shqiptare njofton se në mbledhjen e mbajtur sot ”e analizoi Dokumentin e disa partive të quajtur “Deklaratë e përbashkët e partive politike shqiptarë në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, Koalicioni Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët”.

Përmes një deklarate dërguar “Telegrafit” Maqedoni, PDSH sqaron qëndimin e saj lidhur me marrëveshjen e partive shqiptare në Maqedoni.

Në deklaratën e PDSH-së, mes tjerash shpaloset vendimi si vijon:

”Ky dokument nuk i përmban kërkesat thelbësore të shqiptarëve në R.M. Përveç zhurmës folklorike dhe fotografimeve plot zgërdhirje të 6 bajraktarëve, shqiptarët nuk fituan asgjë, përveç një deklarate që vetëm modifikon kushtet e robërisë aktuale. Shqiptarët në fakt me këtë Deklaratë, kuptuan edhe të vërtetën tjetër , kuptuan që “sharjet” e Besës dhe të Ziadinit gjatë fushatës zgjedhore për politikën antishqiptare të BDI-së që po burgoste e shfaroste shqiptarët, ishin vetëm si ai manifestimi i xhelozisë për një dashuri që nuk e ke.

Ata që e kanë analizuar me vëmendje Deklaratën, e kanë kuptuar tashmë se liria, drejtësia, apo barazia për shqiptarët nuk ofrohet përmes pikave të saj. Liria, barazia dhe drejtësia, fitohen vetëm me ndryshimin e statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni, me Parlament dy dhomash , me vendimmarrje konsensuale mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe më e rëndësishmja, me ndarje të drejtë dhe të barabartë të buxhetit. Tashmë 16 vite me radhë, po bëhet e qartë se barazia dhe drejtësia, nuk vijnë përmes Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës. Ardhmëria e vendit nuk mund të ndërtohet mbi një marrëveshje të vdekur dhe mbi një Kushtetutë jo funksionale që nuk ka fuqi mbi ligjet.

Deklarata as nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe, e as nuk ka asnjë kërkesë apo plan konkret e të afatizuar, përveç fjalisë së bërë bajat tashmë të nënshkruesit kryesor të saj , që me fjalë gjuhën shqipe e zyrtarizon në çdo cikël zgjedhor. BDI edhe të tjerët që e vunë firmën mbi këtë deklaratë, treguan se nuk e kanë fare problem të zyrtarizojnë gjuhën shqipe sipas mënyrës së Ali Ahmetit, pra vetëm në mënyrë deklarative. Por tashmë ata e bënë të qartë se fjalët për zyrtarizimin e shqipes edhe kësaj radhe ishin vetëm retorikë zgjedhore dhe asnjëri prej tyre nuk ka as plan e as ide se si ta bëjë shqipen të barabartë me gjuhën maqedonase”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb