TIRANE- Për gazetarin e News24 Artan Hoxha, kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku është thjesht një tentativë për të mbyllur çështjen e për të qetësuar shqiptarët. Sipas Hoxhës, deputeti Doshi nuk mund të akuzohet për kallëzim të rremë, pasi ai nuk bëri kallëzim në organin e akuzës, por u thirr për të dhënë dëshminë e tij.

Hoxha shton se, skenari është tipik me atë të vrasjes së kryeministrit serb. “Sot u është hedhur shqiptarëve një karamele për ti qetësuar. Është tentativë e qartë për ta mbyllur këtë çështje. Kjo duket si një lojë telefon i prishur. Nëse dy deputetët kanë bërë dëshmi të rreme, po ish-kryeministri që tha më erdhi familjari i një deputeti, po ky familjari që tha me thirri kryetari i Kuvendit? Të gjithë këta kanë bërë dëshmi të rreme.”

Hoxha u shpreh i bindur se deputetët do të arrestohen dhe sipas tij, tashmë janë katër deputetë që rrezikojnë burgun.

“Ne dijeninë time deputetët do të arrestohen edhe deputetët e opozitës do ta votojnë. Nuk po synohet e vërteta, por po synohet tu mbyllet goja këtyre që po flasin. Janë katër deputetë që rrezikojnë burgun, dy për rrahje dhe dy për kallëzim të rremë. Ndreu dhe Ndoka për rrahje dhe dy për kallëzim të rremë. “- deklaroi Hoxha.

Sipas gazetarit, nëse kjo çështje do hetohej deri në fund, do të hidhej dritë mbi shumë ngjarje të bujshme të ndodhura në kryeqytet.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: