Nga: Artan Shkreli*

TIRANE- I pranishëm në punimet e një konference teknike me karakter informues për Pallatin e Brigadave, u gjenda para një befasie të këndshme sapo hyra në sallën e madhe ceremoniale. Në njërin nga paretet e krahut të djathtë, pasi kalohen dyert paradë me dru e kristal, qëndronte varur një hartë gjeografike të cilën nuk e kisha vënë re më parë. Duhet thënë se për gjetjen e saj në bodrumet e Pallatit më kish lajmëruar një mikeshë që njihte pasionin tim për hartat e lashtësisë, vetëm se, kish shtuar ajo me atë rast, askush nuk dinte të thoshte se ç’përfaqësonte harta misterioze. E këqyrur në distancë, dukej menjëherë se ishte nga ato hartat e lashta të cilat sot krijojnë emocion të veçantë dhe brofin zemrën e kujtdo që ka njohuri mbi hartografinë e vjetër. Dallohej fill se ishte e periudhës pas shpikjes së shtypit, e ngjyrosur më pas, dhe ngjante si e kapërcyellit të shek. XVI-XVII. Nuk u besoja syve, pasi kurrë ndonjëherë tjetër nuk isha ndeshur me një gjë të tillë në mjedise publike a private në Shqipëri. Zërat e konferencës, që nuk përcillnin tjetër veçse të njëjtin kumt prej vitesh e vitesh, u zhbënë në veshët e mi dhe mezi prisja pushimin për t’u vërsulur drejt paretit atje tej ku ish varur, nën një kornizë të praruar, harta e magjishme. Në rrëmujën e koktejit është e vështirë të bësh më shumë se thjesht një këqyrje nga afër, por në pritje të një rasti tjetër, e kryesisht të një ngeje që s’para gjendet, po bëj një përshkrim të shpejtë të asaj çka pashë të varur aty.
GIOVANNI FRANCESCO CAMOCIO
Do thënë që në krye të herës se në këtë rast bëhet fjalë për një monument të mirëfilltë hartografik, dhe kjo në disa aspekte. Surpriza e vërtetë që paraqet harta e Pallatit është autorësia e saj, pastaj vjetërsia e vetë dokumentit, e natyrisht fakti se ishte origjinale. Kështu, pas një vështrimi e fotografimi, në bazë të çfarë shkruhet në legjendë, del se është përpiluar nga vetë Giovanni Francesco Camocio, autoritet i fushës dhe humanist i ‘500 italiane. Përveçse emër shumë i madh në teatrin hartografik të Europës së shek. XVI, Camocio i përket periudhës kur kjo disiplinë fillon e merr udhën e modernimit. Ai ishte një editor-hartograf i madh venedikas dhe konsiderohet nga studiuesit ndër botuesit më të mëdhenj të hartave gjeografike të krejt shek. XVI. Me teknikën e kalkografisë, ai prodhoi në laboratorin e tij privat një sasi mbresëlënëse materiali hartografik. Ndonëse sot mendohet që vetë nuk ka kryer ndonjë incizim, Camocio bashkëpunoi ngushtë me hartografë të tjerë në zë si Zenoni, Bertelli, Forlani apo Gastaldi; madje subjekte grafike për hartat dhe pamjet e qyteteve apo kështjellave i huazoi edhe nga piktorë epokalë si Tiziano e Michelangelo. Por ajo që e bën këtë emër skajshmërisht të rëndësishëm për historinë e trojeve tona janë disa harta në format të vogël të cilat ai i botoi midis viteve 1566 dhe 1574, me iniciativë të Donato Bertellit, në një vëllim fatlum që njihet si “Il Camocio”, por që në fakt mban titullin: “Isole famose, porti, fortezze e terre marittime sottoposte alla Serenissima Signoria di Venetia, ed altri Principi Christiani, et al Signor Turco, nouamente poste in luce. In Venetia alla libreria del segno di San Marco”. Nga ky vëllim kemi trashëguar sot hartat dhe fytyrimet e para grafike të qyteteve mesjetare arbënore si Tivari, Ulqini, Shkodra, Durrësi, Vlora, Borshi apo dhe Margëlliçi (Çamëri). Tre syresh me ngjyra zbukurojnë sot sallën e madhe të hartave në Kryeministri. Gjithsesi, paraqitjet e mësipërme janë tashmë mjaft të njohura, edhe për faktin se e kanë parë shumë shpesh dritën e botimit në harkun kohor të një shekulli dhe shtampa të tyre gjenden në mjaft arkiva e biblioteka të botës. Sakaq harta jonë, e gjendur në rropullitë e Pallatit të Brigadave, pas një kërkimi që realizova, rezulton e pazakontë edhe për vetë krijimtarinë e Camocios; bëhet fjalë për një hartë të rrallë ku paraqitet kontinenti europian.
“HARTA E MADHE E EUROPËS”
Ky është emri me të cilin njihet kjo hartë në rrethet e studiuesve, pasi ajo nuk mban një titull të mirëpërcaktuar në legjendën e saj (aty shkruhet për …una simile Europa…, e ca më poshtë …detta Europa…). Konsiderohet si hartë e rrallë për shkak të pak kopjeve origjinale të mbijetuara dhe, si të mos mjaftonte kjo, mbi të është shkruar vërtet pak, përpos një artikulli interesant të viteve ’50 botuar në revistën e specializuar “Imago Mundi”. E pra një kopje, për më tepër me ngjyra dhe e paspaltuar në një kornizë të praruar me fletë ari, pa e ditur askush më parë ekzistencën e saj, ndodhet pikërisht në pallatin tonë presidencial, në Tiranë. Në tërësinë e saj Harta e madhe e Europës përbëhet nga disa tabakë letre të fortë të bashkuar mes tyre. Përftuar nga gërvishtja në fletë remi (bakri), tabakët formojnë një tërësi, d.m.th. formatin e plotë të hartës afro 140 x 100 cm. Grafika e saj është tipike e shekullit XVI dhe, pavarësisht shkallës së paraqitjes, vizatimi paraqitet mjaft i detajuar e i kujdesshëm. Incizimi është i hollë dhe toponimet janë të qarta e lehtësisht të lexueshme. Gjuha e përdorur është italishtja, por ka edhe toponime të shkruara në variantin lokal. Në krahasim me pjesët e tjera të kontinentit, mund të thuhet se ALBANIA është e mirëdetajuar. Kujdes i veçantë i është kushtuar sistemit hidrik të rajonit (lumenj, liqene e vijë bregdetare) dhe, në përputhje me traditën e portulaneve, çka bie më tepër në sy janë kepet, gjiret dhe ishujt e bregdetit. Orografia (malet) e rajonit tonë nuk është përfaqësuar thuajse fare dhe kjo tregon për njohjen e dobët që europianët kishin ndaj hinterlandit arbënor në shek XVI; kjo si rezultat i mbylljes së pashoqe që vendi pësoi pas ngadhënjimit turk në Arbëni. Malet në hartë paraqiten në trajtë konash të vegjël, ndërsa qytetet shfaqen herë si kulla kështjellash e herë si shtëpi, kjo në varësi të rëndësisë që kanë. Sa i takon konformacionit të territorit dhe saktësisë së paraqitjes gjeografike, ky dokument luhatet midis hartës së Mesdheut Lindor (v. 1571) të Forlanit e Pinargentit dhe hartës së famshme të Gastaldit, v. 1560 (Geographia particolare d’una gran parte dell’Europa nuovamente descritta…); por një analizë e hollësishme mbetet ende për t’u bërë në lidhje me shtrirjen e trevave tona historike: Albania (veri), Macedonia (qendër) dhe Ianina (jug). Gjendja në të cilën ndodhet dokumenti nuk është e mirë e për këtë motiv data e legjendës lexohet me vështirësi, por ndërkohë deshifrohet lehtë vendi i prodhimit të hartës: “Vinegia alli 26 di Lulio AD [1573]” si dhe emri: “Gio Franc Camoccio”. Gjithsesi, dimë me siguri se harta nuk është bërë pas vitit 1575, pasi ajo i dedikohet kontit Antonio Valmorana “Principe dell’Accademia Olimpica di Vicenza”, i cili ishte president i Akademisë deri këtë vit, kur ajo do mbyllej për shkak të një epidemie murtaje.
DUHET URGJENTISHT…
Fillimisht objekti do konsideruar si objekt me vlerë për trashëgiminë kulturore dhe trajtuar si inventar i çmuar i fondit kartografik të Republikës. Harta do kataloguar dhe pasaportizuar sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare si dhe do fotografuar e skanerizuar me kujdes për të ruajtur memorien e saj në gjendjen në të cilën sot ndodhet. Për vetë rëndësinë që paraqet kjo hartë, rëndësi që vjen prej vjetërsisë së saj, si harta më e vjetër e Europës që ndodhet në Shqipëri (në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, vetëm një hartë është më e vjetër se kjo, edhe ajo pa ngjyra e në format të vogël), bëhet emergjente të konsoliduarit e hartës në një laborator të specializuar për restaurimin e letrës. Kështu minimalisht të ndalohet degradimi (tashmë evident) i saj, dhe mundësisht të rikuperohen dhe pastrohen (nxirren në dritë) pjesët e dëmtuara nga lagështia, për shkak të vendit ku ajo ka qenë e depozituar për dekada të tëra. Më pas do studiuar nga ekspertë të Institutit të Gjeografisë dhe do botuar, në të gjithë plotëninë e saj, në një periodik të specializuar; ndërkohë që vetë harta është mirë të depozitohet në fondin kartografik të Bibliotekës Kombëtare dhe kopja e digjitalizuar profesionalisht e saj, vënë në kornizën origjinale, mund të vijojë të dekorojë mjedisin dinjitoz ku ajo ndodhet aktualisht në Pallatin e Brigadave.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: