TIRANE- Ata anëtarë të Partisë Socialiste që do të duan të kandidojnë për poste drejtuese brenda Partisë, duhet që të plotësojnë një formular vetëdeklarimi. Ky është një nga vendimet e marra sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS. Në një deklaratë për mediat, deputeti Taulant Balla thotë se ky vendim ka ardhur në zbatim të ligjit të Dekriminalizimit të miratuar më herët në Kuvend.

Ndërkaq, deputeti socialist ka folur edhe për vendimet e tejra të miratuara në mbledhjen e sotme të Asamblesë.

“Financat e PS do të kontrollohen përmes një auditimi ligjor. Ky është një hap i mirë që duhet aplikuar dhe në Kodin e ri Zgjedhor. Hapi i sotëm në PS është një model që duhet të ndiqet edhe nga partitë e tjera në Shqipëri. Kodi i Etikës është një hap shumë i rëndësishëm që rregullon jo vetëm çështje të përfaqësimit politik në parti, çështje të shmangies të konfliktit të interesave, por për herë të parë do të ketë një formular vetëdeklarimi për këdo që kërkon të jetë i zgjedhur në strukturat e PS. Nuk mund të zgjidhesh në PS nëse ke qenë i dënuar për çështje që lidhen me korrupsionin apo kriminalitetin. Edhe për këtë çështje është kaluar nga fjala në vepra. Një pjesë e vendimeve që miratuam sot kanë të bëjnë me transpozimin të atyre vendimeve që kemi marrë në Kuvend, në funksionimin e PS. I referohem ligjit të dekriminalizimit.

I pyetur lidhur me largimin e Ben Blushit nga Partia Socialiste, Balla tha se “Ka njerëz që çohen vonë dhe nuk kanë kohë që të lexojnë ligjet në Kuvendin t Shqipërisë, apo vendimet e asamblesë së PS. Kush ka sy dhe lexon ligjin tonë për mbetjet dhe riciklimin e tyre, bën shumë thjesht diferencën me ligjin e miratuar në 22 shtator 2011. Kjo nuk është më çështje interpretimi, por çështje dashakeqësie”.

Pyetjes se “A do t’i mungojë Ben Blushi Partisë Socialiste”, deputeti Balla tha se “Asambleja e PS ka mbi 270 anëtarë”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb