BULQIZË- Melaim Damzi, kryetari i Bashkisë së Bulqizës ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në fshatin Shupenzë ku 60 nxënës përfunduan në spital pas asfiksimit që pati si shkak tymin e ardhur nga kaldaja.

Në një prononcim për “BalkanWeb”, Damzi tha se merr të gjitha përgjegjësitë dhe se reagimi i institucioneve ka qenë në kohë.

“Në cilësinë e kyetarit të Bashkisë Bulqizë, dua t’ju bëj me dije se ngjarja e ndodhur ditën e sotme në Gjimnazin e Shupenzës, ishte tërësisht aksidentale. Kjo pasi sistemi i ngrohjes, para dy ditësh i’u nënshtrua një “testimi” nga punonjësit kompetent me njohje të plotë teknike mbi pajisjet, dhe rezultoi tërësisht funksional dhe brenda parametrave teknikë të kërkuar.
Duke shprehur padyshim gjithë sensibilizmin dhe solidarizimin me ngjarjen e ndodhur, dua t’ju them se kam qenë gjithë kohës pranë ngjarjes së ndodhur. Mbetem në kontakt të vazhdueshëm me stafin mjekësor, të cilët gjej rastin ti falenderoj për profesionalizmin dhe humanizmin që treguan në ngjarjen e sotme.
Jam koherent me ecurinë e situatës shëndetësore të nxënësve.
Aktualisht, situata është vënë nën kontroll të plotë, dhe sistemi i ngrohjes është funksional brenda standarteve. Jam këtu si njeri, si mjek, si prind, dhe në fund si kryetar Bashkie për të shprehur edhe njëherë solidarizmin me situatën. Lutemi që incidente të tilla të mos përsëriten më, dhe fëmijët të gëzojnë shëndet të plotë”, tha ai.

60 nxënës u asfiksuan nga dyoksidi i karbonit sot në shkollën e mesme të Shupenzës në Dibër, pasi teknikët testonin kaldajën e shkollës gjatë orëve të mësimit.

Shkolla e mesme “Rifat Manjani” ne fshatin Shupenze u përfshi nga paniku i nxënësve dhe i mësuesve për disa minuta, derisa mbërritën aty ambulancat nga spitali i Peshkopisë. Plot 60 nxënës u asfiksuan, pasi sistemi i ngrohjes nuk funksionoi ashtu siç pritej. Vënia në punë e kaldajës së re dhe bllokimi i oxhakut, i mbushi klasat me dyoksid karboni.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: