Ministria e Shëndetësisë ka ardhur me një lajmërim zyrtar në lidhje me nxënësit e asfiksuar në Bulqizë

Ministria ka bërë me dije se gjëndja është nën kontroll, ndërkohë që 60 nxënës po transportohen në spitalin e Peshkopisë.

“Gjendja e të gjithë nxënësve që aktualisht po trajtohen në spitale është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor,” shkruhet në njoftim.
Njoftim i Ministrisë

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat për shërbimin mjekësor në spitalet e Bulqizës dhe të Peshkopisë të 27 nxënësve, 15 prej të cilëve po marrin trajtimin e duhur mjekësor në spitalin e Bulqizës dhe 12 po transportohen aktualisht në spitalin e Peshkopisë. Qendra Shëndetësore Shupenzë ka dhënë ndihmën e parë për të gjithë nxënësit dhe po vazhdon të japë shërbim në vijim të paraqitjes së rasteve të reja.

Gjendja e të gjithë nxënësve që aktualisht po trajtohen në spitale është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu po ndjek nga afër situatën në komunikim të vazhdueshëm me strukturat shëndetësore në terren dhe ka ngritur Task-Forcën e Emergjencës me mjek të specializuar për këtë ngjarje.

Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion Njësinë e Helikopterëve në rast se do të jetë e nevojshme transporti për mjekim më të specializuar në Tiranë”

Ngjarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në shkollën e Shupenzës në Bulqizë. Testimi i sistemit të ngrohjes me pelet, për pak sa nuk ka shkaktuar tragjedi në shkollën 9-vjeçare. Gjatë provës, ka patur rrjedhje gazi nga kaldaja e godinës, duke shkaktuar asfiksi te nxënësit e 9-vjeçares.

Mësohet se 60 nxënës janë dërguar me urgjencë në spitalin e Bulqizës, për të marrë ndihmën mjekësore.

Gazetari Enver Doçi raporton për “BalkanWeb” se në shkollë ka rreth 120 nxënës, ndërsa ambulancat po i drejtohen sërish shkollës për të transportuar edhe të tjerë nxënës me probleme, si dhimbje koke dhe të vjella.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb