SHKODER- Vijon aksioni antikanabis në mbarë vendin, duke zbuluar dhe asgjësuar ditën e sotme 3571 bimë narkotike të mbjella në zona të thella. Blutë e Shkodrës, kanë zbuluar dhe asgjësuar ditën e sotme në fshatin Telumë 2566 rrënjë kanabisi të mbjella në 15 parcela. Policia tha se po punon për të identifikuar dhe më tej arrestuar kultivuesit e bimës narkotike.

Në kuadër të këtij aksioni, si rezultat i kontrollit të ushtruar në fshatin Veliqot, Tepelenë u gjetën dhe u asgjësuan 1 102 bimë narkotike të kultivuara në 4 parcela në afërsi të njëra-tjetrës, të mbjella në bahçen pranë banesës së pabanuar të shtetasit I.Xh, 39 vjeç, i cili u shpall në kërkim si autor i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike në këto parcela.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Veliqot, Tepelenë shtetasin K. Zh, 53 vjeç, banues po në këtë fshat i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Ndërsa materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Ndërkaq, blutë e Vlorës kanë zbuluar dhe asgjësuar gjithsej 83 bimë narkotike të llojit “Canabis-sattiva” nëpër banesat e fshatit Sherishtë. Në pranga janë vënë dy kultivuesit, babë e bir, Lefter Liçaj, 74 vjeç, dhe Adriatik Liçaj, 43 vjeç.

Shërbimet e Policisë, gjatë ushtrimit të një kontrolli në banesën e këtyre shtetasve, kanë konstatuar 53 rrënjë bimë narkotike “Canabis”, të mbjella përreth bahçes së banesës së tyre në fshatin Sherishtë, të cilat u asgjësuan me djegie.

Si dhe ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: F. Muameti, 46 vjeç, banues në fshatin Sherishtë, pasi iu gjetën 5 bimë narkotike në oborrin e banesës së tij, 30-120 cm; dhe H. Sejdiraj, 52 vjeç, banues në fshatin Sherishtë, pasi iu gjetën 25 bimë narkotike në bahçen e banesës së tij, 110-130 cm.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: