Nga Michael S. Lee

Senatori Mike Lee ia ka dërguar këtë letër Ambasadorit të SHBA-ve në Maqedoni, Jess Baily, në fillim të këtij viti, me shpresën për të sqaruar asistencën e misionit amerikan gjatë periudhës së krijimit të qeverisë së re në Maqedoni si dhe përfshirjen e Fondacionit për Shoqërinë e Hapur të George Soros në implementimin e programeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID). Senatori Lee pret me padurim një përgjigje nga Departamenti i Shtetit dhe shpreson që me ardhjen e administratës së re, zyrtarët e ekzekutivit të jenë më shumë përgjegjës për mënyrën se si paratë e ardhura nga taksat e amerikanëve që kanë shkuar për ndihma të huaja janë lëvruar përreth botës.

**********
Shkëlqesisë së tij z. Jess L. Baily Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë I dashur Ambasador Baily, Siç jeni të vetëdijshëm, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës luan një rol të madh jo vetëm në mbikëqyrjen e Kongresit – parandalimin e keqpërdorimit, mashtrimit dhe abuzimit me resurset e qeverisë amerikane – por gjithashtu edhe në aftësinë e menaxhimit të qeverisjes dhe politikës së jashtme përmes shqyrtimit të traktateve, si dhe duke konfirmuar individë në rolet kyçe të lidershipit. Duke pasur në mendje këto përgjegjësi, unë po shqyrtoj rolin që misioni i SHBA-ve luan në shpërndarjen e ndihmave të huaja të SHBA-ve në Maqedoni, në situatën aktuale dhe ndonjëherë të trazuar politike të Maqedonisë, si dhe në ndikimin në klimën e medias dhe shoqërisë civile në Maqedoni. Është e rëndësishme që ky komb me popullsi prej 2.1 milionë banorësh, që ndodhet në një rajon historikisht të trazuar, të vazhdojë zhvillimin me sa më pak ndikim politik të jashtëm të jetë e mundur.

Ky është një moment kritik në Maqedoni, teksa zyrtarët e zgjedhur po negociojnë për krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan në fund të muajit dhjetor. Për fat të keq, unë kam marrë informacione të besueshme se gjatë viteve të fundit, Misioni i SHBA-ve në Maqedoni ka ndërhyrë në mënyrë aktive te partitë politike në Maqedoni, si dhe ka ndikuar në media dhe në shoqërinë civile, shpesh duke favorizuar një grup të caktuar politik në kurriz të një force tjetër. Unë besoj se këto informacione janë dekurajuese dhe, nëse rezultojnë të vërteta, shumë problematike.

Në këtë aspekt, unë ju lutem t’iu përgjigjeni këtyre pyetjeve:

1. Përshkruani rolin që ju dhe personat e tjerë të lidhur me Misionin e SHBAve në Maqedoni keni luajtur në diskutimet që çuan në caktimin e zgjedhjeve parlamentare të 24 prillit 2016; në diskutimet që çuan në shtyrjen e zgjedhjeve deri më 5 qershor; si edhe në shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare më 11 dhjetor 2016. Shpresoj që në këto diskutime të gjitha palët janë konsultuar në mënyrë të barabartë.

2. A e ka zgjedhur Misioni i SHBA-ve në Maqedoni Fondacionin për Shoqërinë e Hapur si përfituesin më të madh të projekteve të USAID- it në Maqedoni? Dhe, a është i vërtetë perceptimi i maqedonasve se Fondacioni për Shoqërinë e Hapur shfaq njëanshmëri politike? Në këtë drejtim unë do të dëshiroja të kisha informacion të mëtejshëm rreth procesit me të cilin projektet dhe nevojat për Maqedoninë janë vlerësuar nga zyrtarët amerikanë në vend përpara se kërkesat për propozime të jenë shkruar dhe përfituesit e granteve apo programeve të zgjidheshin.

3. Sa subjekte mediatike në Maqedoni kanë marrë fonde të Qeverisë Amerikane dhe cilët janë emrat e këtyre subjekteve? A keni ndërmarrë ndonjë veprim për të ndikuar në veprimtarinë e tyre ose ndonjë organizate tjetër mediatike? Nëse po, çfarë dhe pse? Edhe pse Maqedonia është një vend i vogël, unë i vlerësoj marrëdhëniet e ngushta që janë vendosur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë gjatë 25 viteve të fundit, që kur vendi fitoi pavarësinë. SHBA-të ndihen të inkurajuara nga zhvillimet politike dhe ekonomike të Maqedonisë dhe vlerësojnë faktin që Maqedonia kontribuon në shumë nga prioritetet e politikës së jashtme të vendit tonë.

Unë shpresoj që, në një kohë kur në vend po ndodh tranzicioni i pushtetit, ne jemi në gjendje të ruajmë marrëdhënie pozitive dhe të paanshme, që u jep prioritet interesave të përbashkëta mbi axhendat politike. Për të pasur sukses, ne duhet të shmangim atë që disa e shohin si tendencë ndaj imperializmit ideologjik dhe ndërhyrjen në zhvillimin demokratik natyral të një vendi. Shpresoj të marr nga ju informacion të menjëhershëm dhe të saktë në përgjigje të këtyre pyetjeve jo më larg se dy javë nga data e marrjes së kësaj letre. Gjithashtu, do të mirëprisja një takim për t’i diskutuar këto çështje me ju kur të jeni në Uashington D.C.

Sinqerisht i juaji Michael S. Lee Senator i SHBA-ve

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb