BERAT- Asnjë leje të re për guroret dhe kritere të forta për zhvillimin e këtij biznesi, janë pjesë e një plani masash që do të çojnë drejt rregullimit të situatës mjedisore aktuale të shkaktuar nga kompanitë e guroreve dhe shfrytëzimit minerar. Këto masa Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit i prezantoi gjatë takimit me banorë të bashkisë së Urës Vajgurore në prani kryeministrit Edi Rama.

Duke theksuar se mbështetja e biznesit, do të vijojë vetëm zbatim të ligjit, kreu i turizmit dhe mjedisit deklaroi se ka ardhur koha që biznesi të mos bëjë para duke shitur mjedisin që është pasuria e përbashkët e të gjithë qytetarëve.

Ministri Klosi tha se nuk është dhënë asnjë leje e re për guroret, dhe se nuk do të lejohet asnjë gurore që të funksionojë nëse nuk përmbush parimet bazë, ndër të cilat distanca nga zonat e banuara, apo zonat me impakt të madh vizual e turistik. Kompanitë që marrin leje mjedisore dhe minerare për të shfrytëzuar guroret duhet gjithashtu të vënë disa mekanizma që shmangin ndotjen, të kenë plan rehabilitimi si dhe të jenë kompani të fuqishme që nuk e marrin lejen mjedisore për ta rishitur.

“Sot në Shqipëri nga 270 leje mbi 100 prej tyre janë marrë vetëm për t’u pasur si kolateral për të marrë tendera apo për t’u rishitur”, tha ministri Klosi.

Ministri Klosi tha se bashkë me ministrinë e Energjetikës do të rakordojnë punën për dhënien e lejeve mjedisore dhe minerare, nëpërmjet një urdhri të përbashkët pune, që është një prej 15 akteve që ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ndërmarrë në kuadër të operacionit tonë “Pastrojmë Shqipërinë që duam”.

Ministri Klosi bëri një pasqyrë të analizës së guroreve që janë inspektuar në mbarë vendin duke theksuar se guroret kontakti negativ që qytetarët kanë me mjedisin dhe mënyrën sesi ne është trajtuar në këto 27 vite mjedisi. Në 270 raste pothuajse të gjitha kanë problematikat e tyre, përsa i përket zbatimit të lejes mjedisore. Në 89 gurore ka raste në të cilat koordinatat janë në mospërputhje, me ato që janë në letër. 243 raste nuk kanë mbushur pothuajse asnjë nga detyrimet e tyre nga zbatimi i lejes mjedisore dhe shfrytëzimit minerar ndërsa 285 kompani nuk kanë kryer as procedurën për heqjen nga fondi pyjor. 7 milionë pemë duhet të ishin mbjellë nga këto kompani guroresh dhe mineraresh në detyrim të zbatimit të kontratave.

“Kemi edhe disa protesta; edhe publike edhe të mbështetura nga forca politike. Çfarë duan forcat politike që mbështesin protestat? Duan zbatimin e ligjit? Në qoftë se do të kishim një shtet që do të zbatonte 100% ligjin penaliteti do të ishte shumë i madh në radhë të parë për pronarët e këtyre guroreve”- tha ministri Klosi i cili e mbylli fjalën e tij duke falënderuar qytetarët që janë bërë pjesë platformës së bashkëqeverisjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: