SHBA – 25 efektivë të policisë dhe disa zjarrfikës nga St. Cloud, Florida, e bënë të paharrueshme ditëlindjen e një 6-vjeçari autik, Glenn, i cili u zhgënjye shumë kur asnjëri nga shokët e klasës së tij nuk u paraqit në festën e ditëlindjes.
Nëna e vogëlushit, Ashlee Buratti kishte ftuar 16 shokë e shoqe të klasës së djalit të saj, Glenn, për të festuar ditëlindjen, por asnjëri prej tyre nuk pranoi të merrte pjesë në festë. Në këto kushte, nëna postoi një status në “Facebook” në faqen ‘Osceola Rants, Raves and Reviews List’, me 10 mijë anëtarë, ku tregoi për problemin e saj.
“E di që kjo mund t’i duket ndokujt budallallëk, por më është thyer zemra për tim bir. Ne ftuam gjithë klasën e tij, 16 fëmijë, për të festuar 6-vjetorin e tij sot. Asnjë nga fëmijët nuk pranoi të vinte.”,- shkroi ajo në Facebook.
Reagimi i ndjekësve të faqes ishte i menjëhershëm. Shumë persona pyetën nëse mund të sillnin fëmijët e tyre në këtë festë, ndërsa mesazheve iu shtua edhe zyra e policisë lokale, që kërkoi adresën e shtëpisë së 6-vjeçarit, në mënyrë që të mbërrinin me një helikopter sa më shpejt atje. Rreth 40 personat që morën pjesë në festë, e bënë të paharrueshme ditëlindjen e Glenn-it të vogël, i cili vuan nga epilepsia dhe një formë e rrallë e autizmit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: