TIRANE- Pas krijimit të asociacionit të komunave me shqiptarë në Luginën e Preshevës, ka reaguar deputetja Mesila Doda. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Doda përshëndet krijimin e asociacionit duke e quajtur këtë një lajm të mirë, ndërsa thekson ky është një hap drejt fuqizimit të shqiptarëve në Luginë, dhe përmirësimit të kushteve të tyre ekonomike, sociale e politike.

Ndërkaq, Doda i ka bërë thirrje Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që të mbështesin këtë asociacion, në funksion të mbështetjes së shqiptarëve kudo ku ndodhen.

JA POSTIMI I PLOTE
Sot u krijua në Luginën e Preshevës, Asociacioni I Komunave Shqiptare.
Krijimi I këtij institucioni, është padyshim një lajm I mirë që shpall fillimin e punës së një organizmi te bashkuar, që do ndihmojë dhe fuqizoje shqiptarët e Luginës për të forcuar rolin e tyre dhe përmirsimin e kushteve ekonomike, politike e sociale.

Gjithashtu, vlersoj se pas krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, nuk ka asnjë arsye për të kundërshtuar apo për të reaguar me një gjuhë të dhunshme, vulgare e kërcënuese si ajo e përdorur nga Ministri I jashtëm serb Ivica Dacic, I cili duket se akoma nuk ka nxënë kodet dhe gjuhën moderne të komunikimit dhe parimet demokratike, gjithpërfshirse e tolerante të shekullit tonë.

Pres qe ky institucion I ri I Komunave te Luginës të mbështetet fort dhe qartë nga dy shtetet tona, Shqipëria e Kosova, të cilët kanë detyrim Kushtetues dhe jetik, mirëqënien e bashkombasve tanë kudo ku ata jetojnë.

Duke I uruar suksese, Asociacionit të Komunave Shqiptare të Luginës së Preshevës, shpresoj dhe uroj në një punë dhe mbështetje konkrete për ta nga gjithë krerët e politikës shqiptare, të cilët duhet të shkojnë përtej vizitave të kortezisë në rajon dhe mes veti, të tejkalojnë deklaratat thjesht mediatike dhe të nxisin arritjen e rezultateve konkrete për përmirsimin e jetës së shqiptarve kudo ku ata banojnë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb