Në një intervistë për gjashtë media ruse, presidenti sirian, Bashar al-Assad, thotë se nëse Evropa vërtet merakoset për refugjatët, atëherë problemin duhet ndalur në burimin e tij – ta ndalë mbështetjen për terroristët

I akuzuar nga bashkësia ndërkombëtare se është shkaktari i të gjitha të këqijave me të cilat po përballet vendi i tij, presidenti sirian shfaqet me deklarata shumë rrallë. Megjithatë, Bashar al-Assad u ka dhënë një intervistë të gjatë gjashtë mediave ruse, në të cilën, ndër të tjera, thotë se Evropa “nëse vërtet merakoset për fatin e refugjatëve”, duhet ta “ndalë mbështetjen për terroristët”.

“Çështja që shtrohet nuk është nëse Evropa i pranon apo jo refugjatët. Absolutisht, këtë problem duhet zgjidhur në burimin e tij. Nëse Evropa merakoset me të vërtetë për fatin e refugjatëve, atëherë ajo duhet ta ndalë mbështetjen për terroristët”, ka deklaruar Assad në anglisht për kanalet “RT”, “Channel 1”, “RIA Novosti”, “NTV Channel” dhe “Rossiyskaya Gazeta”.

Që nga fillimi i konfliktit, në mars 2011, pas shtypjes së dhunshme të protestave antiqeveritare, regjimi sirian, i mbështetur nga Rusia, i cilëson “terroristë“ si militantët paqësorë dhe rebelët ashtu edhe xhihadistët, të cilët kanë marrë nën kontroll zona të tëra në Siri e në Irak, transmeton gazeta Zëri.

“Ne duhet të vazhdojmë dialogun në emër të kërkimit të një konsensusi, mirëpo ne nuk mund të sigurojmë sukses të vërtetë përderisa njerëzit vdesin, përderisa vazhdon gjakderdhja dhe përderisa njerëzit nuk ndihen plotësisht të sigurt”, ka vijuar presidenti sirian, si një paralajmërim për fuqitë perëndimore. “Evropa vazhdon t’i quajë të moderuar. Të gjitha këto grupe të pranishme në Siri janë ekstremistë“, siguron ai, duke shprehur kështu kundërshtimin e tij ndaj vullnetit të disa qeverive që të krijohet një qeveri siriane, e cila do të përbëhej nga njerëz pro-Basharit dhe nga rebelët.

“Terroristët, ekstremistë të prodhuar nga Perëndimi”

Ndërkohë që përkujton forcën e lidhjeve politike dhe historike me Moskën, Assad mohon çfarëdo lidhje me Iranin dhe pohon se urat me Egjiptin asnjëherë nuk janë prishur “as në kohën kur Muhamed Morsi, anëtar i organizatës terroriste ‘Vëllezërit myslimanë’, ishte president”. Mirëpo, ato janë të kufizuara në çështje të sigurisë.

Sikur në kohët e Luftës së Ftohtë, presidenti sirian, një diktator gjakatar në sytë e një pjese të botës, ka fjalë shumë të ashpra për “Perëndimin”.

Sipas tij, organizata “Shteti Islam” (ISIS), “Fronti al-Nosra” përbëjnë “fazën e tretë të politikës dhe të helmit ideologjik të Perëndimit. Këta terroristë janë thjesht ekstremistë të prodhuar nga Perëndimi”.

Po ashtu, Assad dënon personalizimin e konfliktit. “Propaganda perëndimore që nga fillimi (i konfliktit) thotë se presidenti është shkaku i të gjitha problemeve”, thotë ai. “Përderisa unë do të jem në krye të vendit, ata do të vazhdojnë të mbështesin terrorizmin sepse synimi i tyre kryesor në Siri dhe në vende të tjera është ndërrimi i presidentëve, i shteteve ose siç thonë ata, rrëzimi i regjimeve. Përse? Pasi që ata nuk i pranojnë partnerët dhe kombet e pavarura. Cili është problemi i tyre me Rusinë? Po me Sirinë? Çka kanë ata kundër Iranit? E shihni se kemi të bëjmë me tri vende të pavarura. Ata dëshirojnë që disa udhëheqës të largohen për t’i zëvendësuar me individë që veprojnë në interes të tyre dhe jo në atë të popujve të tyre”.

Vjedhje në shkallë “industriale” të antikiteteve

Përveç shkatërrimit të vendeve arkeologjike, të cilat tashmë janë dokumentuar, xhihadistët e ISIS-it po kryejnë plaçkitje në shkallë “industriale”, ka alarmuar të mërkurën UNESCO-ja.

Imazhet satelitore dhe fluksi i objekteve antike i vërejtur në tregjet klandestine dëshmojnë për një “plaçkitje në shkallë industriale” në Siri, përmes “mijëra gërmimeve ilegale arkeologjike”, ka deklaruar drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, gjatë një konference rreth kësaj çështjeje në Sofje.

“Kufizimi i shitjes së objekteve të artit është në këtë moment prioriteti numër një, për shkak se kjo po shërben për financimin e ekstremistëve”, ka theksuar Irina Bokova, e cila u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sidomos që të “konsolidojnë legjislacionin e tyre për ta ndalur këtë trafik”.

Pamjet satelitore të OKB-së kanë vërtetuar më 1 shtator shkatërrimin nga ISIS-i të Tempullit Ba’al, xhevahiri i qytetit antik Palmyra në Siri.

Sulmet e para ajrore australiane në Siri

Armata ajrore australiane ka kryer sulmet e para ajrore në Siri, duke shkatërruar një automjet të blinduar të “Shtetit Islam” (ISIS), njoftoi të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Kevin Andrews.

Australia ka vendosur javën e kaluar të zgjerojë në Siri sulmet ajrore kundër organizatës xhihadiste, ndërkohë që deri më tash ishte e angazhuar vetëm në operacione kundër caqeve të grupit terrorist në Irak.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: