Nga Ilir Kalemaj
Sot, miliarda njerëz që klikojnë çdo ditë në internet, nga marrja e informacionit deri te blerjet online, janë me vetëdije apo pa vetëdije “klientë” që iu shiten të tretëve kryesisht nga 5 kompanitë e mëdha: Microsoft, Apple, Facebook, Amazon dhe Google. Profilet e tyre që përmbajnë mënyrat si dhe për çfarë shpenzojnë, cilat shije kanë dhe ndaj cilave produkteve janë të tërhequr etj., iu shiten të tretëve, që janë kompani dhe firma të ndryshme, kryesisht shumëkombëshe me fuqi financiare dhe tregtare të konsiderueshme. Ndërkohë që kohët e fundit shpërtheu skandali që kishte në qendër Cambridge Analytica dhe përdorimi i bazës së të dhënave të përdoruesve të Facebook-ut për të përçuar mesazhe politike të caktuara.

Në fakt, nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, përdorimi i rrjeteve sociale për të mbartur propagandë të caktuar politike dhe për të përshtatur mesazhin politik në varësi të preferencave të “klientit” të rrjetit, ka qenë gjithmonë dhe më influencues. Ka nisur veçanërisht me Obamën dhe kulmoi me Presidentin Trump, por mendohet se do ketë një rol determinues në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA dhe natyrisht në pjesën tjetër të botës që zakonisht influencohet me shpejtësi nga trendet e krijuara në Amerikë. Një shembull i kësaj është sesi firma 360 gradë e vëllezërve Koch, manjatëve të famshëm konservatorë të Las Vegasit, ka vite që ka ndërtuar profilet e mbi 250 milionë amerikanëve për të bërë të mundur që mesazhi specifik dhe i targetuar për secilin prej tyre të ndarë në kategoritë përkatëse të përputhet me kërkesat specifike të partive politike. Këto të fundit natyrisht janë të limituara dhe të varura nga lobistë dhe mbështetës të fuqishëm si vëllezërit në fjalë, pasi nuk kanë as mundësitë financiare dhe as organizative, sidomos për parti të mirëfillta elektorale pa një bazë të gjerë anëtarësimi militant (thjesht regjistrimi formal të anëtarësisë së tyre).

Rrjetet sociale padyshim kanë një rol gjithnjë dhe më influent në jetët tona të përditshme. Instagrami, fjala bie, po përdoret gjithnjë e më tepër për marketing produktesh dhe promovim biznesesh dhe markash, përfshirë brandin personal që në një botë gjithnjë dhe më të ndërvarur nga fuqia e network-ut për të bërë përpara, është kthyer në imperativ kryesor të jetës sociale dhe ekonomike të gjithsecilit. Apo një studim i kohëve të fundit, i cili tregon që me 300 pëlqime (likes), Facebook-ut (nëpërmjet algoritmeve të tij) të njeh më mirë se partneri yt dhe me shumë më pak pëlqime të njeh më mirë sesa familjarët e tjerë, miqtë dhe rrethi i të njohurve.

Rreth 126 milionë njerëz u ekspozuan ndaj lajmeve propagandistike të përhapura nga grupe Facebook-u që mbështeteshin nga Rusia, sikundër ka zbuluar vetë kompania së fundmi. Dje Zukenberg, në takimin para euro-parlamentarëve kërkoi falje duke u shprehur se nuk kishin bërë mjaftueshëm për të parandaluar që kompania e tij të përdoret nga të tretët për të shkaktuar dëm. Por në ditët e para të Facebook-ut, Zukenberg, në një deklaratë të papjekur dhe për të cilën tashmë do të jetë bërë pishman, kur e pyetën se pse njerëzit duhet t’í dorëzonin atij informacionin e tyre personal, u përgjigj me sarkazëm “Ata më besojnë—budallenjtë e gjorë” (ang. they trust me- dumb fucks).

Nga ana tjetër, përdorimi gjithnjë e më i gjerë i trolls ( i provokuesve të internetit të cilët futen grupe me qëllime përçarje dhe dizinformimi apo përdorimi i adresave të rreme dhe jo të personalizuara të cilat shpërndajnë “fake news” janë kthyer në mjete të fuqishme propagandistike të përdorura me efikasitet veçanërisht nga rusët për të ndikuar zgjedhjet, sikundër u demonstrua së fundmi nga fushata Brexit në Angli, në Gjermani dhe Spanjë. Ngelet vetëm për t’u parë nëse në fushëbetëjen e informacionit (information warfare) do të ketë apo jo viktima në masë apo do të ketë një fushatë ndërgjegjësimi e mpleksur me rregulla të qarta loje. Kjo në mënyrë që manipulimi për llogari të të tretëve, qofshin këta aktorë politikë apo shumëkombëshe tregtare dhe financiare mos të bëhet në dëm të qytetarit-konsumator dhe të ruhen premisat bazë të demokracisë dhe të drejtës për zgjedhje të lirë. /Gazeta Shqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb