Nga: Ilir KALEMAJ

Zgjedhjet e fundit në Itali tërhoqën vëmendjen ndër të tjera edhe për kërcënimin e ministrit të ri të Brendshëm, Salvinit për deportimin e rreth gjysmë milioni emigrantëve të paligjshëm, kandidatë për azilantë politikë dhe në kampet e refugjatëve. Në fakt, Italia bashkë me Greqinë janë vendet më të goditura nga fluksi emigrator që kulminoi me krizën siriane, por refugjatët kanë një gjeografi të gjerë që mbulon nga Libia në Pakistan, apo nga Iraku në Eritre e deri në Afganistan.

Së fundmi, kambana alarmi po bien mbi rritjen e fluksit të refugjatëve të luftës dhe emigrantëve të tjerë ekonomikë kryesisht nga vendet e mësipërme dhe që po përdorin Shqipërinë si vend transit. Pas mbylljes me gardh me gjemba nga ana e Hungarisë, një trend që u ndoq dhe u replikua edhe nga vende të tjera të Vishegradit, por edhe ndër fqinjët ballkanikë, për shembull Kroacia, një itinerar i ri, i cili sjell refugjatët dhe migrantët nga Greqia nëpër Shqipëri për të dalë në Mal të Zi dhe mandej në Bosnje Hercegovinë, Kroaci, Slloveni dhe me destinacion final Gjermaninë dhe Austrinë, i ka shqetësuar ndjeshëm si këto të fundit, ashtu dhe Komisionin Europian, dhe FRONTEX (Agjencinë Europiane të Kufijve dhe Rojës Bregdetare), e cila së fundmi vendosi të punësojë rreth 10 mijë roje kufiri, një pjesë të mirë të tyre për t’i vendosur përgjatë kufirit shqiptaro-grek. Ndërkohë, Mali i Zi ka marrë premtimin e Hungarisë për t’i asistuar me ngritjen e një muri me gjemba për të frenuar trafikimin e refugjatëve nga kufiri shqiptar.

Dhjetëfishimi i numrave përgjatë harkut kohor prej një viti e ka kthyer në akute këtë krizë menaxhimi, si dhe ka rritur peshën dhe profilin gjeopolitik të Shqipërisë në këto momente, ku vëmendja e publikut dhe politikës në përgjithësi është te hapja e negociatave. Por, dukshëm, në kalkulimet politike të Berlinit dhe Vjenës më shumë figuron roli dhe mundësia që ka Shqipëria për të ndaluar këtë fluks, ku më së fundmi këta refugjatë të gjorë denjuan të hedhin sytë edhe nga ne, se sa patetizmat e kryerjes së reformave të nisura dhe pabitisura, që si gjithnjë përfundojnë në kalendat greke përpara se të kenë progres kalendarik në agjendat publike. Është kjo edhe arsyeja kryesore e pritjes nga ana e kancelarit Kurz të kryeministrit Rama, se sa ndonjë mbështetje krahëhapur për ciklin reformator të liderit global. Pavarësisht kësaj, Shqipëria duhet të bëjë përgatitje serioze për një temë që ndonëse pjesërisht e fshehur nga debati publik, ka rrjedhoja të rëndësishme përsa i përket debatit etik, human, ekonomik, social dhe kulturor dhe është politikisht mjaft sensitive.

Janë mbi 65 milionë njerëz sot anembanë globit të zhvendosur brenda kufijve (rreth 12 milionë syresh) apo jashtë kufijve të tyre kombëtarë si shumica, pjesa më e madhe e të cilëve janë ose refugjatë lufte, ose emigrantë ekonomikë. Pa harruar këtu me miliona të tjerë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, nga të cilët e pësojnë më shumë gratë e fëmijët, një lloj holokausti i spastrimeve nacionale apo kulturore në kohë paqeje. Rreth 74 milionë njerëz në mbarë botën sot kërcënohen me kriza urie të shkaktuara nga konflikti apo mungesa e stabilitetit politik në vendet e origjinës. Për të mos folur këto për zona të tëra që kërcënohen nga rreziku i thatësirës, nga burimet e pamjaftueshme natyrore apo fenomene të tjera që lidhen me ngrohjen globale apo jo.

Ndërkohë, me gjithë vëmendjen kryesore që ka marrë Lindja e Mesme gjatë viteve të fundit për shkak të konflikteve në Irak dhe Siri, janë rreth 900 milionë afrikanë, kryesisht nga Afrika nënsahariane priten të zhvendosen deri në 2050-ën sipas të dhënave nga studiues të lëvizjeve demografike dhe kjo valë u bashkëngjitet flukseve migratore të Lindjes së Mesme apo Afrikës Veriore apo shteteve si Pakistani dhe Afganistani, prej nga kanë ardhur flukset kryesore të refugjatëve dhe azilantëve politikë në vitet e fundit. Këto shifra janë jashtëzakonisht shqetësuese se destinacioni i tyre kryesor ku mbi tre të katërtat janë të destinuar të mbërrijnë është Europa dhe rruga për në BE kalon kryesisht nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Një pjesë e mirë e tyre që do të mbërrijnë deri në 2050-ën, ku ndoshta deri atëherë do të kemi hyrë në BE, do synojë ta kthejë në stacion përfundimtar me status azilanti qëndrimin në këto vende, përfshirë Shqipërinë. Por a është i përgatitur vendi ynë për flukse të tillë?

Siç e thamë në krye të herës, së fundmi Shqipëria vihet për herë të parë qysh nga fillimi i konfliktit sirian në hartën e vendeve transit, pasi deri tani për arsye konjukture gjeografike apo ironie praktike të një vendi që eksportin kryesor të produkteve të viteve të tranzicionit ka pasur trafikimin, këta migrantë duket se qëllimisht apo jo e injoruan rrugëkalimin nëpër Shqipëri, duke na kursyer një hall tjetër. Ky fat ndoshta nuk ka për të zgjatur ad infinitum dhe është koha që vendi të përgatitet për një debat adekuat në këtë lëmë, i cili nuk mund të lërë indiferent as politikën kombëtare, duke qenë se kancelaritë ndërkombëtare dhe agjencitë europiane janë vënë tashmë në lëvizje dhe e shohin me shqetësim këtë punë.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/06/05/ata-po-vijne/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: