Nga KLODIANA HAXHIAJ*

Drejtori i burgut të sigurisë së lartë të Fushë-Krujës, Arben Suloj ka mbetur i plagosur rëndë në një atentat me eksploziv teksa ishte duke shkuar në punë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e dje-shëm, në afërsi të terminalit të kontenierëve në portin e Durrësit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku, bënë me dije se shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur në automjetin tip “Opel” me targa AA 654 AS që drejtohej nga 45-vjeçari, ndërsa ishte në lëvizje e sipër. Atentati me telekomandë (i treti brenda tri ditëve) ndodhi në një nga zonat më të sigurta të Durrësit, sikurse është porti detar që ka Forcë Sigurie, polici Kufitare dhe Migracioni dhe Kapiteneri, vetëm 150 metra larg godinës së SHISH-it të këtij qyteti. Si pasojë e shpërthimit, Suloj ka pësuar plagë të rënda, ndaj është dërguar urgjentisht në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe më pas u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Mjekë të këtij spitali pohuan se fatmirësisht, kreu i burgut të Fushë-Krujës ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shpërthimi me eksploziv ka alarmuar blutë e qytetit bregdetar dhe Policinë e Shtetit, të cilët po hetojnë intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 9 persona, ndërsa dyshohet se atentati ka ndodhur për shkak të detyrës. Ndërkohë, vetë Suloj ka deklaruar në Spitalin e Durrësit se “nuk e di kush mund të ketë qenë autori, pasi nuk kam konflikte personale me askënd”.

ATENTATI
Rreth orës 07:45, Arben Suloj ka dalë si çdo ditë nga banesa e tij në lagjen nr.1 të Durrësit për të shkuar në burgun e Fushë-Krujës. Për të shmangur trafikun e rënduar, ai ka lëvizur me makinën e tij nga rruga e Portit. Por, në afërsi të terminalit të kontenierëve, automjeti i tij ka shpërthyer dhe për pasojë 45-vjeçari ka humbur drejtimin e mjetit. Makina është përplasur me rrethimin prej hekuri të portit, ndërsa ndihma e parë të plagosurit i është dhënë nga punonjës të portit. Vëllai i tij, Ardian Suloj, me detyrë kapiten i Portit të Durrësit, ishte i pari që e vizitoi në spitalin e qytetit bregdetar, ndërsa pohoi se “gjithçka ka qenë e papritur, pasi Arbeni nuk kishte shfaqur asnjë problem. As në lidhje me punën, as me ndonjë person apo emër konkret. Ne nuk kemi konflikte me asnjë person”.

Ngjarja ka ngritur në këmbë policinë. Nën drejtimin e zëvendësprokurorit të rrethit, Sokol Nishani, inspektorët e krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Durrësit kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe sekuestrimin e provave materiale të lëna nga shpërthimi. Burime të policisë saktësojnë se lënda eksplozive është vënë në pjesën e pasme të mjetit, në sasi të vogël, dhe se nga shpërthimi Suloj ka marrë plagë të rënda në trup. Dyshohet që eksplozivi (tritol) të jetë vënë gjatë natës, kur mjeti ka qenë i parkuar. Sipas policisë, Arben Suloj, me origjinë nga Vlora e banues në Durrës, nuk ka konflikt me persona të tjerë dhe se në institucionin që ai drejton vuajnë dënimin emra shumë të njohur dhe të rrezikshëm të botës së krimit.

HETIMI
Sipas burimeve të mësipërme, po hetohet intensivisht në disa pista për zbardhjen e ngjarjes, por pista kryesore mbetet ajo për shkak të detyrës. Nuk përjashtohet mundësia që urdhri për atentatin të jetë bërë nga burgu. Hetuesit janë të bindur se kreu i IEVP në Fushë-Krujë është mbajtur në vëzhgim prej momentit që ka dalë nga banesa për të realizuar shpërthimin në një vend ku të mos kishte trafik. Në pyetje janë marrë vartësit e drejtorit të burgut në Fushë-Krujës për aktivitetin e javës që u mbyll, për ndonjë ankesë të mundshme nga ana e të dënuarve, apo për kontrollet e ushtruara dhe sendet e sekuestruara të tyre. Gjithashtu, janë marrë në pyetje dhe persona okularë në vendngjarje. Bëhet fjalë për punonjësit e sigurisë portuale në Durrës. Paraprakisht pohohet se shpërthimi ka qenë i telekomanduar nga një tjetër mjet, në distancë. Për të ndihmuar hetuesit janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë brenda portit të Durrësit, në itinerarin që ka ndjekur Suloj. I gjithë porti është i mbikëqyrur me kamera sigurie me rezolucion shumë të lartë që përfshijnë deri në disa kilometra vijë ajrore, dhe dyshohet që atentatori ta kenë ndjekur në distancë automjetin e Sulojt përpara se të kryhej atentati. Ndërkaq, burime nga grupi hetimor u shprehën se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar shumë prova.

NEVILA SULOJ:ARBENI NUK I KA SHKELUR NJERIU NE KALLO

Arbeni nuk kishte konflikte me njeri. Ne dyshojmë se ngjarja ka lidhje me punën e tij”. Kështu shprehet bashkëshortja e Arben Suloj, drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, i cili ditën e djeshme mbeti i plagosur gjatë një atentati me lëndë eksplozive në qytetin e Durrësit. Nevila Suloj, në një rrëfim të shkurtër për gazetaren Aurora Koromani të GSH, sqaron se Arbeni nuk është ndier asnjëherë i kërcënuar dhe se ai gjithë jetën e tij nuk i ka bërë keq njeriu. Babai i dy fëmijëve ndodhet në reanimacion në Spitalin e Traumës në kryeqytet dhe mjekët sqaruan se ai është dëmtuar në pjesën e mesit dhe te këmbët, por aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Nevila, si e morët vesh për atë që i kishte ndodhur bashkëshortit tuaj?

Mua më lajmëruan dhe më thanë se çfarë i kishte ndodhur Arbenit, sepse ai ishte nisur si çdo ditë për në punë. Në makinë ka qenë vetëm dhe si çdo ditë e zakonshme është nisur nga Durrësi për në vendin e tij të punës. Nuk na e mori mendja se do ndodhte një gjë e tillë.

Kishte shfaqur ndonjë problem kohët e fundit Arbeni, apo mos ndoshta ka marrë ndonjë kërcënim?

Jo, Beni ka vijuar punën e tij normale dhe ka qenë si gjithmonë, i qetë dhe nuk ka shfaqur asnjë problem. As kërcënime nuk ka marrë, prandaj ne nuk dimë se kujt t’ia vëmë gishtin. Ne si familje, Arbeni vetë, nuk i ka bërë kujt keq në jetë dhe nuk i ka prekur njeriu në kallo. Benin e njohin të gjithë dhe e dinë se ai nuk ka qenë në asnjë situatë problematike.

Për çfarë dyshoni se ka ndodhur ngjarja?

Këtë mund ta zbulojë vetëm policia, por ne kemi dyshime se ngjarja ka lidhje me punën e Benit, vetëm ajo gjë na shkon në mendje. Por, ne ia kemi lënë në dorë drejtësisë që të zbardhë ngjarjen.

Çfarë ju kanë thënë mjekët për gjendjen e Benit?

Na kanë thënë se ai e ka kaluar rrezikun për jetën, por do presim. Tani e vetmja gjë që ka rëndësi për ne është që ai është gjallë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb