KSAMIL-Policia ka dhënë versionin e saj zyrtar lidhur me vrasjen që ndodhi gjatë natës në Ksamil, ku gjeti vdekjen një 50-vjeçar. Burime zyrtare bënë me dije se Vangjel Çiko është gjetur i vrarë në automjetin tip “Mercedes Benz”, në oborrin e shtëpisë së tij.

Sakaq, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 19.08.2017, rreth orës 23:50, Salla Operative Sarandë ka marrë njoftim se në lagjen “Baxho”, në Ksamil, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe nga verifikimi paraprak kanë konstatuar se brenda në automjetin tip ”Mercedes Benz”, në oborrin e banesës së tij, është gjendur i vrarë me armë zjarri nga persona të paidentifikuar, shtetasi V.C., 50 vjeç, banues në Ksamil.

Policia ka ngritur menjëherë pika të shumta kontrolli dhe janë angazhuar shërbimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Grupi hetimor po vazhdon kryerjen e hetimeve për zbulimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si edhe për kapjen e autorit.

SAGA E HAKMARRJEVE
“BalkanWeb” zbardh të tjera detaje rreth viktimës, i cili ishte babai i Dhimitër Çikos, i cili ndodhet në burg për vrasjen e Aleksander Bardhit, 47-vjeç, i ekzekutuar me 24 shtator 2016 në fshatin Shendelli teksa punonte në arën e vet.

Bardhi, vëllai i Petrit Bardhit, ish-kryeplak i Shëndellisë dhe ish-¬administrator i Kaçinarit në Mirditë, dyshohet se u vra nga Albi Xhezairi (i shpallur në kërkim), Dhimitër Çiko dhe Amarildo Lame. Fill pas kësaj vrasje, një sërë ngjarjesh të tjera rrodhën më pas, siç ishte edhe ngjarja e 12 dhjetorit 2016, ku në Ksamil u vra Agron Xhezairi, 53-vjeç, babai i Albi Xhezairit. Atij më parë i ishte bërë atentat me eksploziv. Edhe vrasja e Xhezairit dhe e sotmja e Çikos dyshohet të jenë seri hakmarrjeje për vrasjen e Aleksandër Bardhit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb