TIRANE – Drejtuesi i automjetit që shpërtheu mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ka dalë nga rreziku për jetën dhe aktualisht po merr mjekimin e nevojshëm në spitalin e Traumës, në kryeqytet. 34-vjeçari Roberto (Artan) Prenga ka në pronësi një lokal në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë dhe rezulton person pa precedentë penalë në Shqipëri. Ndërkohë autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse 34-vjeçari ka patur konflikte të mëparshme në Itali, që mund të lidhen me atentatin.

Automjeti i Prengës, tip “Benz Ml” me targa AA 948 AP, ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në rrugën “Sulejman Delvina” në kryeqytet. Nga të dhënat e policisë dyshohet se në automjet ishte vendosur rreth 300 gramë lëndë eksplozive, e cila ishte planifikuar që të shpërthente sapo drejtuesi i mjetit të hapte derën e mjetit. Nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur 35-vjeçari Prenga, i cili në gjendje të rëndë u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës. Kjo nuk është hera e parë që në Tiranë shënohen shpërthime me lëndë eksplozive, pasi kohët e fundit ka shumë ngjarje të tilla, pjesa më e madhe e të cilave ende të pazbardhura.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: