TIRANË- Gazetari Jetmir Olldashi që qëndron pas audio-përgjimit ku përfshihet edhe vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi sot në emisionin “Studio e Hapur” në News24 se ai nuk ka qenë i pranishëm në ambientin ku u zhvillua përgjimi.

Ai tha se besoi tek “Babalja” ose Albert Veliu pasi herën e parë kur ishte bashkë me të në lokalin e tij pa që kishte njohje me të. Por se nuk mundi të shkonte për së dyti në lokalin e Agron Xhafaj pasi vinte në rrezik jetën.

Lubonja: Ju thoni që nuk kam qenë aty nuk e kam parë.

Olldashi: Kur shkova për ta bërë këtë investigim, targeti nuk ishte Agron Xhafaj por për të treguar që në Vlorë situata e kanabisit ishte e rëndë. Në momentin që shkuam tek lokali i Agron Xhafaj dhe ai nuk ishte, unë s’mund të shkoja më sepse mund të vija kokën time në rrezik. Pasi unë e pashë herën e parë që burimi im kishte njohje me Agron Xhafaj.
Pasi foli ai në telefon bëra një verifikim nëpërmjet true caller. S’kisha mundësi të tjera.

Lubonja: Cili është versioni lidhur me atë që fillimisht dëshmitari X tha që unë nuk kisha përgjues, e kanë përgjuar të tjerë dhe pastaj dole ti the jam unë, ishte një strategji e PD për të dhënë një copë tjetër e pastaj një copë tjetër apo çfarë?

Olldashi: Unë intervistën me dëshmitarin X e bëra që ta transmetoja tek emisioni im. Në 4 të mëngjesit kur shkova ta intervistoja e bëra me kamerat e PD dhe ata nuk ma dhanë materialin. Ata kërkuan ta publikonin ata vetë.

Nëse intervista dëgjohet nga fillimi në fund, kuptohet që ai tenton të bëjë ironi. Në fillim ai i bën të qarta qëllimet e tij.
Në momentin që unë u nisa me zotërinë drejt Vlorës, kisha dyshimet e mia dhe kur arrita kuptova se ai ishte i etur për hakmarrje. Ai donte patjetër, jo vetëm ndaj personit që është përfolur por disa personave.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb