NGA FATMIRA NIKOLLI

Premtimi nuk është vetëm për të ardhmen, por është e djeshmja dhe është përjetësisht e tashmja. Kjo më trazonte. Unë parapëlqeja të vazhdoja të kërkoja, pa pasur kurajën për të pasur. Unë kam. Unë do të kem gjithnjë. Duhet vetëm të kem nevojë dhe unë kam. Nevojës nuk i vjen kurrë fundi, është tipari i brendshëm i neutrales sime. Jeta që do të kem për jetën time është ajo që do të bëj me mungesën dhe kërkesën. Mospërballja me shpresën nuk është shkatërrimi i kërkesës! Dhe nuk është as abstenimi prej mungesës. Jeta është “mua”! (Pasioni sipas GH.- Clarice Lispector) ‘Gruaja është gjithnjë personazh kryesor i prozës së Clarice. Por është një grua e ndryshme, që përfaqëson shumësitë e vetë grave, por edhe të fazave të ndryshme nëpër të cilat jeton një grua’.

Është ende vjeshtë në Tiranë, kur librarive u shtohen në një botim të vetëm dy romane “Një frymëmarrje jete” dhe “Pasioni sipas G.H” të Clarice Lispector nën logon e “Ombra GVG”. E cilësuar si ‘Kafka grua’, shkrimtarja me origjinë hebreje, jeta e së cilës nis në Europë dhe mbyllet në Brazil, sjell përmes këtyre dy veprave luftën për të qenë vetja, pa skematizma. Përmes rreshtave, kuptimi i të cilave do vëmendje e përqendrim, vjen një udhëtim brenda vetes, një udhëtim i vështirë, nga ato që kemi frikë t’i bëjmë – thotë përkthyesja Ermira Danaj në një intervistë për “GSH”.

“Ky libër përmban formën më të dukshme, por edhe më të vrazhdë kërkimin e vetes, nëpërmjet marrëdhënies mes G.H., skulptores moderne që jetonte në lagjet më të bukura të Rio de Zhaneiros dhe buburreces së shëmtuar e të pazhvilluar”, shton Danaj. Nëse e pyet se çfarë është buburreci që shndërron krejt jetës e saj në njërën vepër, përkthyesja sqaron se “buburrecja konsiderohej edhe si ajo pjesa e shëmtuar, që çdo njeri e ka brenda vetes dhe që herët a vonë del në pah”.

-Si e keni njohur ju Clarice Lispector dhe sa ka ndryshuar perceptimi juaj gjatë leximit e përkthimit?
Mund të them se para se ta lexoja, nuk e njihja aspak. Sepse njohja që kisha unë për Clarice si një shkrimtare e njohur braziliane, e përmendur shpesh nëpër revistat letrare dhe feministe dhe njohja prej leximit të prozës së saj janë dy gjëra tërësisht të ndryshme. Unë e kam lexuar për herë të parë Clarice në portugalisht dhe jam magjepsur kokë e këmbë prej saj. Jam ilustrimi i rrëfenjave se lexuesi/ja ose magjepset krejtësisht prej Clarice-s, ose e lë librin përgjysmë dhe nuk e lexon më.

-A është “Pasioni sipas GH” edhe një kërkim drejt vetes?
Proza e Clarice në përgjithësi është një kërkim drejt vetes, shpesh në formën e një udhëtimi të mundimshëm si tek “Pasioni sipas G.H”. Ky libër e përmban në formën më të dukshme, por edhe më të vrazhdë kërkimin e vetes, nëpërmjet marrëdhënies mes G.H., skulptores moderne që jetonte në lagjet më të bukura të Rio de Zhaneiros dhe buburreces së shëmtuar e të pazhvilluar.

-Çfarë është buburreci që zhdukim a rrekemi të zhdukim?
Gjatë leximit dhe përkthimit të Pasionit sipas G.H. kam menduar se buburreci është ajo pjesë e vetes sonë që nuk duam ta shohim, që përpiqemi ta fshehim thellë brenda nesh, që mund të përbëhet prej instinkteve tona, të “pacivilizuara”, por që në të njëjtën kohë përbën dhe thelbin tonë. Dhe ky thelb, shpesh fshihet, zhduket, pas formës, pas estetikave të ndryshme, pas petëve sociale dhe kulturore që ne i veshim vetes, kateve të ndërtesave të larta, delikatesës së “skulptores” siç është G.H. Ndaj përballja me të është e mundimshme. Ndërkohë që punoja për përkthimin e librit kam lexuar shumë analiza mbi veprën e Clarice dhe nëpër to buburrecja konsiderohej edhe si ajo pjesa e shëmtuar që çdo njeri e ka brenda vetes dhe që herët a vonë del në pah. Ndaj mendoj se lexuesi/ ja mund të shohë tek buburreci diçka të ndryshme, por që në fund të fundit është aty për ta na përballur me brendësitë e thella të vetes, që shpesh i harrojmë pas shkëlqimeve verbuese.

-Pse është e veçantë proza e Clarice?
Veçantia e prozës së Clarice lidhet me dy elemente: së pari, historitë për të cilat ajo shkruan dhe gjuha që përdor për të na sjellë këto histori. Historitë e Clarice zakonisht zënë fill në një ditë të zakonshme, ku personazhi kryesor befas niset nëpër udhëtime të brendshme, introspektive. Gruaja është gjithnjë personazh kryesor i prozës së Clarice. Por është një grua e ndryshme, që përfaqëson shumësitë e vetë grave, por edhe të fazave të ndryshme nëpër të cilat jeton një grua. Clarice nuk është një shkrimtare që përpiqet të sjellë përgjigje, por që ngre pyetje, pyetje të shumta, të cilat lexuesi shpesh i bën me zë të ulët brenda vetes, ose përpiqet edhe t’i evitojë. Kështu mund ta përmblidhja veçantinë e parë të prozës së Clarice-s, një prozë jo e lehtë, por çliruese. E veçanta e dytë ka të bëjë me gjuhën që ajo përdor, një gjuhë aspak standarde. Sintaksa që ajo përdor nuk është e rregullt, fjalitë janë shpesh të shpërbëra, të shtrembra, të bëra fijefije nëpër paragrafë, duke dalë përtej kufijve të vendosur. I tillë është edhe rrugëtimi nëpër të cilin ajo do t’i drejtojë lexuesit dhe një rrugëtim i tillë nuk mund të përjetohet me një sintaksë që respekton rregullat e imponuar, por që i shemb ato.

-Si është të braktisësh të qenit për të qenë një karakter, një maskë?
Ndërthurja mes vetes së zakonshme, siç fillojnë personazhet “normale” të Clarice- s dhe transformimit që pësojnë gjatë shtigjeve introspektive e mistike nëpër të cilat i fut autorja, e përshkon të tërë veprën e Clarice. Për shembull, tek Pasioni sipas G.H., vetë G.H. përjeton transformimin jo në buburrec si Gregor Samsa i Kafkës, por nëpërmjet përballjes me buburrecin. Dhe ky transformim më së shumti shkon prej “maskës” drejt së qenit thelbësor. Por është e vështirë të braktisësh “humanizmin” fals dhe të veshësh çlirimin, qoftë ky edhe i nxitur prej takimit me një buburrec të shëmtuar. Edhe tek “Një frymëmarrje jete”, marrëdhënia mes qenies dhe karakterit është po kaq e ndërthurur. Kush është karakteri? Është Autori apo Anxhela. Unë do të thosha se karakteri është Autori, i veshur me struktura kulturore e sociale, ndërsa “të qenit” i kulluar është Anxhela, tërësisht e çliruar nga skematizmat që ne aktrojmë çdo ditë.

-A na e mëson kjo vepër lirinë, të qenit të lirë, të qenit për t’u zhveshur nga vetja?
Dhe për t’u zhveshur nga “humanizmi” fals sipas Clarice, që duke na veshur shtresa të ndryshme e duke na vendosur në struktura të parapërgatitura na ka larguar nga njerëzorja e vërtetë. Në analizat e ndryshme mbi veprën e Clarice thuhet se G.H. do të thotë edhe “qenie njerëzore” (në portugalisht genero humano). Qenia njerëzore, nëpërmjet “humanizimit” jo vetëm që është larguar prej thelbit, por ka krijuar dhe distancën mes njerëzve, mes G.H. dhe punëtores së saj për shembull, mes katit të lartë të apartamentit luksoz të G.H. dhe lagjeve të tjera të qytetit. Përballja me një buburrec të zi, që personifikon baziken, të papërpunuarën, e çliron G.H. prej humanizmit fals, e drejton për tek thelbi duke e larguar prej formës e strukturave të imponuara.

-Clarice thotë se jeta është “mua”. A është një udhë për të vlerësuar çfarë kemi bërë? A është ky mesazhi i saj në këtë vepër?
Si “Pasioni sipas G.H.” dhe “Një frymëmarrje jete” janë reflektime mbi jetën, vdekjen, e ç’mbetet më pas. Përpjekja e Clarice-s është kuptimi i jetës, kuptimi i jetës që qenia jonë mund të nxërë, siç shprehet ajo, por edhe e asaj që mbetet jashtë nesh. Ky kuptim, sado i vështirë të jetë, tek Clarice ndodh kryesisht duke udhëtuar drejt vetes, drejt asaj ç’kemi bërë, si e kemi bërë, por edhe asaj që kemi lënë pas dore, që e kemi nënvlerësuar, nga e cila jemi larguar. Nga ana tjetër, Clarice më shumë përpiqet të ngrejë pyetje, ta nxisë lexuesi/ en të mendojë, ta nxisë të hyjë nëpër shtigje të brendshme që nuk ka qenë më parë, duke ia lënë lexuesit/es të nxjerrë mësimet që do.

-”Unë shkruaj – thotë Clarice – sikur shpëtoj jetën e dikujt, me shumë mundësi jetën time”. Sa e ka ndihmuar të shkruarit vetë Claricen?
Proza e Clarice-s është shpesh introspektive, është analizë e vetes, e brendësive më të thella të vetes. Nëpër personazhet e saj gra, ajo shpërndan pjesë të vetes. Jeta e Clarice-s dhe proza e saj janë thellësisht të ndërlidhura. Pjesë të jetës së Clarice gjenden nëpër personazhet e saj, përshkrimi fizik i Anxhelës (tek ‘Një frymëmarrje jete’) ngjan me atë të Clarice. Por, proza e saj shkon shumë më tej, sepse është një udhëtim i brendshëm edhe për lexuesi/ en, është një ballafaqim pyetjesh mbi thelbin dhe formën, mbi atë çfarë ka rëndësi e atë që është sipërfaqësore. Udhëtimet e saj janë të mundimshme, por janë çliruese në të njëjtën kohë, e ndaj “shpëtojnë jetë”.

-Pse libri “Një frymëmarrje jete” është hija e saj, prej se është i fundit?
Libri “Një frymëmarrje jete” është libri i Clarice-s që unë dua më shumë. Ndoshta sepse është libri që ajo ka shkruar duke e ditur se do të vdesë së shpejti dhe këtë dijeni, ajo e përcjell gjatë gjithë librit. I gjithë dialogu i Autorit me Anxhelën është një dialog me veten që e di se po vdes, i trishtë, por edhe kaq shumë i pasur, kaq i larmishëm. Duke mos e ndarë dot përkthyesen nga lexuesja, “Një frymëmarrje jete” ka qenë shumë më i rëndë për t’u përkthyer, jo për shkak të vështirësisë ‘së rëndë’, por për shkak të ndjeshmërisë ‘së rëndë’, të ndjeshmërisë që lexuesi/ja përthith prej këtij libri. Një Autor i jep frymë jete personazhes Anxhela dhe përballet me të, përballet me atë që ai ka frikë të jetë, reflektohet tek ajo duke i ndërthurur shpesh kufijtë e njëri-tjetrit. E më në fund vuan prej dyzimit a t’ia marrë këtë frymë jete Anxhelës. “Një frymëmarrje jete” është një udhëtim tjetër brenda vetes, një udhëtim i vështirë, nga ato që kemi frikë ti bëjmë, si çdo libër tjetër i Clarice. Por, është edhe një “britmë e një zogu grabitqar” siç është Clarice, që na thotë se vdekja fizike ishte shumë pak për të.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb