Hetuesit australianë kanë hedhur poshtë pretendimet se avioni i zhdukur malajzian është rrëzuar qëllimisht nga piloti. Spekulimet e fundit se avioni kreu rrëzim të kontrolluar në oqean u mohuan nga zyra australiane e Sigurisë së Transportit. Sipas kësaj të fundit, pilot ka qenë i pandërgjegjshëm në momentet e fundit.

Avioni u zhduk në vitin 2014 teksa po fluturonte nga Kuala Lumpuri për në Pekin me 239 persona në bord. Kërkimet për avionin, ku merrnin pjesë Malajzia dhe Kina, u anuluan në janar të vitit të kaluar.

Hetuesit australianë thonë se avioni ishte jashtë kontrollit kur ra në jug të oqeanit Indian.

Megjithatë teoria se piloti e rrëzoi qëllimisht avionin doli në librin e një ish hetuesi kanadez të aksidenteve ajrore, Larry Vance, i cili thotë se përfundimet e hetimeve janë të gabuara, duke theksuar se ngjarja ka ndodhur qëllimisht.

Kërkimet për avionin malajzian janë ndër kërkimet më të mëdha në historinë e aviacionit. Edhe pse kërkimet nën ujë nuk sollën asnjë rezultat, thuhet se janë gjetur disa copëza nga avioni në ishujt në oqeanin Indian.

Megjithatë qeveria australiane ka bërë të ditur se kërkimet do të nisin vetëm nëse ka prova të reja të besueshme. Një firmë private amerikane ka nisur kërkimet më herët gjatë këtij viti, por deri më tani nuk ka dalë në asnjë rezultat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb