Avokatja e deputetit Mark Frroku në Belgjikë, Carine Couquelet, hedh dritë mbi ngjarjen e ndodhur në vitin 1999 në Bruksel, për të cilën akuzohet deputeti. Duke shpjeguar edhe provat që disponon prokuroria belge për këtë ngjarje.

Në një intervistë telefonike për Top Channel, ajo thekson se Frroku është arrestuar një herë në vitin 2004 për këtë çështje por është liruar pa asnjë kusht pas dy muajsh. Sipas avokates Couquelet, ajo që ka deklaruar Frroku, se nuk ka qenë në Belgjike në kohën e ngjarjes, është e vërtetë. “Nuk ka as prova e as dëshmi që të vërtetojnë fajësinë e Frrokut në këtë ngjarje”, ka nënvizuar avokatja.

“Është një histori shumë e vjetër e marsit 1999 dhe në 2004 klienti im është arrestuar këtu në Belgjikë për këtë çështje dhe pas dy muajsh, drejtësia belge e liroi atë pa asnjë kusht. Kjo do të thotë, sipas meje, që akuza ishte shumë e dobët, sepse kur ti lirohesh pas dy muajsh nga burgu pa asnjë kusht, pa asnjë akuzë, do të thotë që akuza është absolutisht e dobët. Nuk ka dëshmitar, nuk ka prova materiale. Klienti im ka thënë që nuk ka qenë në atë kohë në Belgjikë. Ai ka qenë më parë në Belgjikë, por në kohën e kësaj ngjarje nuk ka qenë. Ai ka qenë në Shqipëri dhe këtë do t’ia provoj gjykatës. Ka vetëm një dëshmi anonime dhe nuk është e mjaftueshme për të dënuar një person”, thotë avokatja belge.

Avokatja nënvizon se ka vijuar të ketë kontakte me klientin e saj për këtë çështje. “Unë kam përfaqësuar klientin tim që në vitin 2004. Pas vendimit të gjykatës e cila e dënoi me 10 vite, çështja shkoi në Gjykatën e Lartë dhe kjo gjykatë e prishi vendimin në vitin 2010 dhe tani jemi në pritje të kemi një proces të ri gjyqësor dhe unë besoj që ai do të shpallet i pafajshëm, pasi nuk ka asgjë në këtë dosje.

E pyetur nëse Mark Frroku mund të arrestohet nëse udhëton drejt Belgjikës, ajo ka deklaruar se kjo varet nga autoritetet belge, por sipas saj nuk ka asnjë arsye. “Kjo varet nga autoritetet belge, por nëse vjen kjo çështje, ne do t’i drejtohemi gjykatës që ai të lihet i lirë deri në fillimin e procesit, sepse është një histori shumë e vjetër dhe ai ka bërë 2 muaj burg e nuk ka asnjë arsye për ta arrestuar tani”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb