BERAT- Iu desh më shumë se dy orë policisë së Beratit dhe forcave zjarrfikëse për të neutralizuar dhe arrestuar 42-vjeçarin Miri Duro, i cili mbante peng prej 3 ditësh djalin e tij 17-vjeçar.

Ngjarja është regjistruar në lagjen “30 vjetori” në qytetin e Beratit, ku 42-vjeçari i divorcuar, Miri Duro, jetonte së bashku me djalin adoleshent Albert Duro.

Pas divorcit ish-bashkëshortja është larguar në Itali, duke e lënë djalin në kujdestari të të atit.
Mirëpo 42-vjeçari për shkak të problemeve psikike ushtronte dhunë ndaj të birit, dhe prej 3 ditësh e mbante atë të lidhur dhe pa ushqim.

Kanë qenë të bërtiturat e 17-vjeçarit që kanë tërhequr vëmendjen e fqinjëve, të cilët kanë njoftuar policinë.

Pas marrjes së denoncimit, policia me ndihmën e zjarrfikësve ndërhynë në banesë dhe shpëtuan 17-vjeçarin, i cili u dërgua për kontroll në spital dhe ndodhet në gjendje të rënduar psikike.

Por 42-vjeçari Miri Duro sapo pa forcat zjarrfikëse të mbërrinin pranë banesës së tij, hipi në tarracën e shtëpisë duke refuzuar të zbresë, dhe gjatë gjithë kohës kërcënonte dhe godiste me mjete të forta forcat e policisë.

Pas dy orësh në tentativë për t’u arratisur, ai u prangos nga policia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb