SHKODËR- Për familjen Leraj, djali i së cilës u vra për një varëse floriri 5 vjet më parë, plaga është ende e hapur. Agimi ishte vetëm 13 vjeç kur u thirr nga shoku i shkollës, Sokol Mjacaj, në mes të shtatorit të vitit 2010.

I mituri ka dalë në mirëbesim, pa e menduar të keqen, por nuk u kthye më i gjallë në familjen e tij. Babai i tij, Gjergj Leraj, shprehet i tronditur kur dëgjoi se një prej personave që morën pjesë në ekzekutimin e të birit buzë lumit të fshatit Pjollë në Dukagjin, ishte i njëjti që i mori jetën çiftit çek.

“Të ishte në dorën time duhej dënimi me vdekje”, thotë babai i Agimit, i kontaktuar nga gazeta “Panorama”. Ai i rikthehet çështjes së të birit, duke theksuar se drejtësia nuk u vu kurrë në vend. “Nëse gjykatat do të ishin të drejta në vendimet e tyre, të paktën dy turistët çekë sot do të ishin gjallë”, thotë Gjergj Leraj.

Me dhimbje ai kujton se i biri ra në kurth, kur moshatari i tij në atë kohë, Sokol Mjacaj, e thirri për të dalë jashtë. Në ato orë që pasuan ndodhi dhe krimi makabër. Për një varëse floriri që Agimi mbante në qafë, tre veta e masakruan duke e marrë nga kjo jetë. Agim Leraj do të mbushte pas disa ditësh 18 vjeç, nëse nuk do të ndodhte grabitja dhe krimi nga bashkëfshatarët e tij. Dhimbja për humbjen e të birit ka vazhduar për familjen Leraj dhe gjatë procesit të gjykimit.

Siç tregon Gjergj Leraj, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër u vendos që për Besnik Kodrën të jepej vendimi me burgim të përjetshëm, si autori kryesor, për të vëllanë, Edmondin, 17 vjeç në atë kohë dënimi me 11 vjet burg, ndërsa për Sokol Mjacjan 10 vjet. Mjacja u akuzua për bashkëpunim në vrasjen e minorenit, por i shpëtoi dënimit kapital nisur nga mosha e tij.

Në janar të vitit 2013, Gjykata e Apelit në Shkodër ndryshoi dënimet për autorët, duke rënduar më tepër familjen Leraj. Njërit prej autorëve iu fal burgu i përjetshëm, ndërsa Mjacaj u akuzua vetëm për moskallëzim krimi dhe për pasojë dënimi iu përgjysmua nga 10 në 4 vite. “Apeli dha një vendim të padrejtë, ndryshe nga Fakti. Nëse do të kishte lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, autori do të ishte në burg dhe turistët çekë do të ishin gjallë sot”, thekson Gjergj Leraj. Prej ditës së vendimit të Apelit, familja e tij është “dorëzuar”, duke mos e ndjekur më çështjen.

“Nuk di a është shqyrtuar në Gjykatën e Lartë apo jo dhe pse në atë kohë dimë që Prokuroria do e çonte më tej çështjen. Por ne nuk e ndoqëm më se ishte e kotë. Nuk ndryshonte asgjë më për jetën e djalit tonë”. I pyetur nëse ka pasur ndonjë kontakt apo ballafaqim në kohën kur Sokol Mjacaj ishte i lirë, pas kryerjes së dënimit, i ati i 13-­vjeçarit të vrarë e mohon. “Nuk kemi pasur ndonjë kontakt e as nuk e kemi dashur një gjë të tillë. Agimin nuk na e kthen më dot. Sot edhe dy të tjerë, turistë të zonave tona, nuk jetojnë më”, e mbyll bisedën Gjergj Leraj.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: