Babai i vrasësit të 49 vetave në një klub të homoseksualëve në Orlando tha se nuk e dinte se djali i tij “kishte mëri në zemrën e tij”.

“Djali im, Omar Mateen, ka qenë fëmijë i mirë, ka qenë i arsimuar. Ka pasur një djalë dhe gruan. Nuk e di se çfarë e ka nxitur. Ka punuar me një kompani që i ka dhënë armën”, tha Seddique Mateen.

Në orët e para të së dielës, Omar Mateen vrau 50 persona dhe plagosi 53 të tjerë, përpara se të vritej nga policia. Të shtënat masive janë përshkruar si më vdekjeprurëset në historinë e re amerikane.

“Nuk e di përse ka kryer një akt të tillë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit”, tha babai i sulmuesit, duke shtuar se fati i homoseksualëve “nuk është në duart e njerëzve”, por vetëm Zoti “mund t’i gjykojë ata”.

Agjentët amerikanë të zbulimit thanë se Mateen ka thirrur shërbimet e emergjencës përpara se të kryente sulmin dhe se ka shprehur besnikëri ndaj grupit militant Shteti Islamik (IS).

Ky grup, i cili tha se qëndron prapa të shtënave masive, ka bërë thirrje për sulme në Perëndim gjatë Ramazanit.

Mateen, qytetar amerikan, me origjinë afgane, ka lindur në Nju Jork dhe ka jetuar në Florida. Ai nuk ka qenë në listën e terroristëve nën vëzhgim.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: