Kineastë nga vende të ndryshme të botës do të bëhen bashkë për të prodhuar filmat e tyre të shkurtër në Prespë në bashkëpunim me të rinj shqiptar si pjesë e projektit Balkan’s Gate, në edicionin e tij të parë i cili realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës Amerikane.

Gjatë datave 10-20 tetor ata do të xhirojnë dhe do të montojnë filmat e tyre duke punuar me rotacion në punët e njëri-tjetrit. Të gjithë bashkë përbëjnë një staf shumë interesant të kulturave të ndryshme dhe mendësive tërësisht të ndryshme për ta sjellë Prespën nga këndvështrimi i tyre.

Këta filma do të shfaqen për publikun për herë të parë në datën 20 tetor në Teatrin e Korçës.

Zona e Prespës paraqet probleme të shumta, por mbi të gjitha vlera të jashtëzakonshme të cilat njihen pak nga të rinjtë.

Për këtë arsye, përmes artit të tyre këta të rinj do të na ndihmojnë të sjellim vëmendjen në këtë zonë si dhe të reflektojmë mbi atë sesi e shohim veten dhe si na shohin ne të tjerët.

Traditat artizanale në të njëjtën kohë përbëjnë një trashëgimi shumë të rëndësishme në Prespë, si dhe në Korçë. Evidentimi i këtyre vlerave është shumë i rëndësishëm për t’i shpëtuar këto zona nga erozioni i tmerrshëm i kohës.

Balkan’s Gate u ofron të rinjve mundësinë për të ngritur pyetje rreth këtyre vendeve dhe për të vënë në pah vlerat e harruara.

Të rinjtë të cilët janë bërë pjesë e Ballkan’s Gate do të jenë në gjendje të bashkëpunojnë me fqinjët e tyre, një bashkëpunim i cili jo vetëm që u siguron atyre mundësinë për të thyer barrierat në Ballkan, por në të njëjtën kohë u jep atyre mundësinë që të kuptojnë më nga afër perspektivat e tyre në vendin tonë.

Edicioni i parë i Balkan’s Gate nis në Prespë në datën 10 tetor dhe kulmon në Teatrin e Korçës, më 20 tetor 2017.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb