TIRANE – Policia e Shtetit ka zbardhur të tjera detaje lidhur me operacionin e koduar “Ballkan”. 14 shtetasit shqiptar, të arrestuar në operacionin ndërkombëtar të drogës, rezultojnë të jenë përfshirë në një grup të strukturuar kriminal, me organizatorë, ndërmjetësues, financues dhe blerës.

Sipas policisë, shtetasit Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Nuredin Nazëraj kanë patur rolin e financuesit dhe të organizatorit të këtij aktiviteti për sigurimin e trafikimin e drogës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë, për llogari të interesave të grupeve kriminale, që operojnë brenda dhe jashtë vendit.

Në rolin e ndërmjetësuesit janë identifikuar shtetasit, Arben Prendi dhe Blerim Ukimeraj, ndërsa në rolin e blerësit dhe financuesit ishin të përfshirë Romeo Beqa, Viktor Behaj, Anest Koromani, Denis Sinameta (Land Lleshi), Lulzim Qorri, Gjolek Xhaferi, Robert Petoshati, Myqerem Çela, Fatos Muçi.

jurgen molla

Sipas Policisë: Jurgen Molla është bashkëpronar në firmën e ndërtimit “MOLLA shpk”, nën emrin e së cilës është ndërtuar një kompleks pallatesh në zonën midis Yzberishtit dhe Kasharit. Ka pasur në përdorim vazhdimisht mjete luksoze si automjetet tip foristradë “Porch Cayen”, tip “Audi A6”, BMW X6 etj. Dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë janë marrë me kontrabandë nafte dhe trafik mjetesh motorike gjatë viteve të embargos së naftës ndaj ish Federatës Jugosllave në bashkëpunim me shtetas të tjerë.
Pas vitit 2002, Jurgen Molla, kanë marrë ekskluzivitetin e tregtimit të Coca-Colës dhe birrës “Tirana” për rrethin e Lezhës, magazinat e të cilave i kanë në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur “Sakë”.
Rreth vitit 2009 kanë filluar të merren me ndërtimin e pallateve, fillimisht në qytetin e Lezhës. Pas vitit 2010, vëllezërit Molla janë shpërngulur në Tiranë, ku kanë filluar ndërtimin e një blloku pallatesh në zonën e Kasharit.
Dyshohet se kanë investuar në fushën e ndërtimeve mbi 10 milionë euro.
Shtetasi Anest Koromani dyshohet se ka investuar para në pallatet që ndërton firma Molla Sh.p.k

shyqyri
Shyqyr Kotorri
Shyqyri Kotorri është vëllai i Hikmet Kotorrit i vrarë në vitin 2013. Kanë firmë ndërtimi Kotorri-SL shpk dhe Hapësira X. Shtetasi Shyqyri Kotorri ka qenë në kërkim nga drejtësia greke për vepra penale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe të krimit të organizuar.
Kanë investuar në ndërtim mbi 6 milionë euro, kryesisht pallate të ndërtuara në rrugën e Elbasanit. Ka dyshime se po ndërton edhe në zonën e Freskut. Lekët dyshohet se i kanë përfituar kryesisht nga trafikimi i lëndëve narkotike.

nuredin
Nuredin Nazëraj
Nuredin Nazëraj është i njohur në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Ka qënë dhe më parë i arrestuar për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Në vitin 2014 djali i tij ka kryer një vrasje në Vlorë për motive të dobëta. Është pronar i Hotel Delfini në Vlorë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb