Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Bamir Topi: Zgjedhjet në rrezik, procesi mbart pasiguri për qytetarët dhe forcat politike

bamir topi

TIRANE- Edhe pse jo e rreshtuar në kahun opozitar të politikës, Fryma e Re Demokratike përmes kreut të saj Bamir Topi deklaron se zgjedhjet janë në rrezik dhe se procesi mbart një pasiguri totale si për njerëzit dhe forcat politike.

“Edhe pse sipas Kushtetutës duhet të shkojmë në zgjedhje ka një pasiguri totale sesi do të zhvillohen këto zgjedhje, kush do marrë pjesë, me çfarë mekanizmi kontrolli do të hyjnë njerëzit dhe partitë politike në këtë proces”, tha Topi.

Për gjithçka negative që ka rrethuar politikën, kreu i FRD fajëson ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që sipas tij prodhuan një Parlament të bipolarizuar, që e largoi vendin nga aspiratat integruese në Bashkimin Europian.

“Kjo është drama e madhe e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, që e ktheu Shqipërinë në një situatë bipolarizmi. Sado të themi ne që kemi arritur një standard demokracie, që të na bëjë ne të aspirojmë të futemi në Europë, jo. Pa ikur ajo goxhda që i është ngulur demokracisë 9 vite më parë, gozhdë e cila vazhdon të qëndrojë në trupin e brishtë të demokracisë shqiptare, nuk ka shans që gjërat të fillojnë dhe të shkojnë për së mbari”, theksoi ai.

Për ish-Presidentin e Republikës loja më e keqe e politikës është loja me pronën.

“Çështjen e pronës e ke në ajër. Çdo parti politike tenton kur vjen në pushtet që ta instrumentalizojë çështjen e pronës, duke qenë në politika populiste, duke dhënë tapi, duke dhënë leje të legalizimeve, kohë që nuk kanë patur vullnet as njëra palë as pala tjetër”, tha Topi.

(el.sp/BalkanWeb)


Komente ( 5 )

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.